Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se situata në Lindjen e Mesme do të jetë në fokus të diskutimeve të ministrave të jashtëm të BE-së, në një takim që po mbahet në Qipro.
Duke folur për gazetarët me të mbërritur në takim, Kallas ka thënë se Bashkimi Evropian kishte pritur nënshkrimin e një marrëveshjeje, por deri tani kjo nuk ka ndodhur.
“Ne po prisnim nënshkrime në marrëveshje, deri tani nuk i kemi”, ka deklaruar ajo.
Ajo është ndalur edhe te situata në Ngushticën e Hormuzit, të cilën e ka përshkruar si të paqëndrueshme.
“Në këtë moment, Ngushtica e Hormuzit është në një gjendje të çuditshme mes luftës dhe paqes”, ka thënë Kallas.
Sipas saj, liria e lundrimit është në interes të të gjithëve, ndërsa ka paralajmëruar se bota po paguan një “çmim shumë të lartë” për zhvillimet aktuale në rajon.





