Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një vizite të papritur në veri të Kosovës, theksoi rëndësinë e pranisë së saj në terren për të kuptuar situatën komplekse në këtë rajon. Ajo theksoi se ka shumë narrativa të ndryshme nga palët dhe është e nevojshme të dëgjohen të gjitha.
“Shohim shumë narrativa të ndryshme dhe është e nevojshme të jemi dëshmitarë vetë se çfarë po ndodh në terren dhe çfarë po thonë njerëzit,” tha Kallas për mediat lokale.
Ajo shtoi se ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe institucionet e rajonit është kyç për të kuptuar më mirë realitetin.
“Mendoj se këto janë informacione jashtëzakonisht të rëndësishme për mua që ta kuptoj më mirë situatën, sepse shohim që njëra palë thotë një gjë dhe pala tjetër thotë diçka tjetër,” deklaroi ajo.
Kallas vizitoi gjithashtu gjykatën në veri, duke theksuar funksionimin e saj dhe pritjen për kthimin e gjyqtarëve serbë.
“Gjykata është funksionale dhe jemi duke pritur që gjyqtarët serbë të kthehen,” tha ajo.
Ndër të tjera, Kallas u takua edhe me përfaqësues të shkollave dhe forcat ndërkombëtare në veri, duke përfshirë KFOR-in dhe misionin EULEX. Ajo përfundoi me shpresën për një të ardhme të begatë dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës.
“Dhe më pas mund të shohim se çfarë mund të bëjmë më shumë në mënyrë që e ardhmja të jetë e begatë, e sigurt dhe e qetë për të gjithë në Kosovë,” tha Kallas.