Juventus ka prezantuar zyrtarisht fanellën e re të shtëpisë për sezonin 2026/27, duke sjellë një kombinim mes traditës dhe stilit modern që pasqyron identitetin historik të klubit torinez.
Dizajni i ri ruan vijat ikonike bardh e zi, por këtë herë ato janë sjellë në një version më bashkëkohor dhe elegant. Fanella karakterizohet nga prerje të pastra dhe detaje gjeometrike që i japin një pamje më dinamike dhe moderne.
Një nga elementet më të veçanta të këtij edicioni është rikthimi i jakës klasike polo, frymëzuar nga uniformat legjendare të Juventusit ndër vite. Përveç kësaj, detajet në ngjyrë ari mbi stemën e klubit, logon e Adidas-it dhe numrat e lojtarëve i japin fanellës një prekje luksi dhe elegance.
Kompleti i ri plotësohet me pantallona të bardha dhe çorape në të njëjtën ngjyrë, duke ruajtur stilin tradicional të “Zonjës së Vjetër”. Fanella tashmë është në dispozicion për tifozët në dyqanet fizike dhe online.
Në njoftimin zyrtar, Juventusi theksoi se fanella përfaqëson lidhjen mes historisë së pasur të klubit dhe vizionit për të ardhmen.
“Rrënjë të forta dhe sytë drejt së ardhmes. Fanella e re sjell një interpretim modern të simboleve historike të klubit, duke kombinuar elegancën klasike me energjinë e futbollit modern”, thuhet në komunikatën e klubit bardhezi.
Me këtë dizajn të ri, Juventus synon të ruajë identitetin tradicional, ndërsa njëkohësisht të sjellë freski dhe inovacion për sezonin e ardhshëm.





