Përgatiti: Nora Luta
Pa kaluar 24 orë, Milan Radojicic, i dyshuari kryesor për sulmin në Banjskë të Zveçanit, është liruar nga autoritetet e Serbisë. Radojicicit i është konfiskuar pasaporta e i është ndaluar hyrja në Kosovë, dhe do t’i duhet të paraqitet dy herë në muaj në stacion policor.
Udhëheqësi i grupit terrorist, përgjegjës për sulmin ndaj Policisë, nga autoritetet në Beograd po hetohet për trafikim me armë, gjë që, sipas juristëve, është vetëm inskenimi i një hetimi politik nga Serbia.
Por në Kosovë, vlerësohet se ai do të duhej të hetohej për disa vepra penale, përfshirë vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe sulm terrorist.
Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën, ka përsëritur se Kosova do të kërkojë dorëzimin e tij. Haxhiu ka thënë se nuk është e befasuar me vendimin e shtetit serb, pasi siç është shprehur ajo, Serbia është strehë për kriminelët e luftës dhe terroristët.
Milan Radojicic u arrestua dy javë pas sulmit në Banjskë.
Prokuroria serbe pretendon se Radojicici, armët i bleu në Bosnjë, por Policia e Kosovës ka prezantuar dëshmi se ato janë prodhuar në Serbi. Armatimi i rëndë që e posedonte grupi i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, u sekuestrua dhe u ekspozua një ditë pas sulmit.
Artileri e armëve e prova të tjera, Policia sekuestroi edhe gjatë ditëve në vijim përreth fshatit Banjskë. Teksa me kërkesë të Prokurorisë Speciale, javën e kaluar, Radojicicit iu ngri pasuria e iu bastisën pronat e tij.