Përgatiti: Fatlum Jashari
Bashkimi Evropian konstatoi se i ashtuquajturi projektligj për juridiksionin gjyqësor serb në Kosovë dhe shpallja e Kosovës “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale” nga Qeveria e Serbisë, përbën shkelje të pastër të obligimeve të ndërmarra në dialogun e Brukselit.
Pa treguar nëse do të ketë pasoja nëse procedohet tutje, blloku 27-anëtarësh vetëm i konfirmoi shkeljet nga shteti fqinj.
“Që nga Marrëveshja e Brukselit e 2013-tës, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta lidhur me juridiksionin përkatës të tyre. Projektligji i propozuar i Qeverisë së Serbisë [për deklarimin e Kosovës si një zonë të mbrojtjes së veçantë, dhe për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve gjyqësore për ndjekjen e veprave penale në Kosovë], ashtu siç është publikuar, përbën shkelje të qartë të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe janë në kundërshtim me rizotimin ndaj dialogut së fundmi”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.
BE-ja kërkoi që Qeveria e Serbisë ta tërheqë projektligjin e miratuar më 28 Tetor.
“Bashkimi Evropian i kujton Serbisë që ka obligim nga të gjitha marrëveshjet e dialogut, si pjesë integrale e integrimit të saj në BE, dhe i bën thirrje Serbisë ta rishqyrtojë projektligjin”, tha Massrali.
Ndaj vendimit në Beograd, reagoi edhe zëvendëskryeministri për dialog Besnik Bislimi, duke kërkuar ndëshkimin e Serbisë.
“Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? Ai që në mënyrë të pabesueshme përpiqet ta paraqesë si “konstruktive” duke përmendur zotimet e saj ndaj procesit, apo ai që miraton projektligje të tilla dhe vazhdimisht shkel marrëveshjet dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? BE-ja, si ndërmjetës, duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të fortë”, tha Bislimi.
Vendimi i Qeverisë së Serbisë vjen vetëm pak ditë pas njoftimit se kryeministri i saj, Milos Vucevic, i ka dërguar letër BE-së, në të cilën zotohet për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.