Mesfushori i Anglisë, Jude Bellingham, ka reaguar ndaj kritikave të trajnerit Thomas Tuchel pas fitores së vështirë 2-1 ndaj Norvegjisë, pas vazhdimeve, në çerekfinalen e Kupës së Botës.
Pavarësisht kualifikimit në gjysmëfinale, Tuchel u shpreh se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e “Tre Luanëve”, duke theksuar se skuadra ende nuk e ka shfaqur potencialin e saj të plotë në këtë turne.
I pyetur për komentet e trajnerit, Bellingham pranoi se pritshmëritë ndaj Anglisë janë gjithmonë të larta, por nënvizoi se përballja me Norvegjinë ishte shumë më e vështirë sesa mund të dukej.
“Ndoshta. Por ndoshta ai nuk e di se çfarë do të thotë të luash në këto kushte ndaj Erling Haaland, Martin Ødegaard, Antonio Nusa dhe Alexander Sørloth. Ky nuk ishte aspak një kundërshtar i lehtë”, deklaroi Bellingham.
Ylli i Real Madridit theksoi se në fazat eliminatore të një Botërori nuk ka rëndësi vetëm loja e bukur, por mbi të gjitha rezultati.
“Nuk mund ta fitosh çdo ndeshje vetëm duke pasuar topin dhe duke bërë një mijë pasime. Ndonjëherë duhet të fitosh edhe në mënyrë jo të bukur, dhe sonte e bëmë përsëri”, u shpreh ai.
Bellingham ishte protagonisti kryesor në triumfin e Anglisë, duke realizuar dy golat që i siguruan ekipit kualifikimin në gjysmëfinale.
Mesfushori anglez ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të këtij Botërori, duke regjistruar gjashtë gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje të zhvilluara.
Në fund, 23-vjeçari bëri thirrje që skuadra të vazhdojë të ruajë atmosferën pozitive dhe unitetin në prag të sfidës së radhës.
“Mendoj se u përpoqëm të krijonim një atmosferë pozitive dhe duhet ta vazhdojmë këtë. Nuk gjej fjalë për t’i lavdëruar sa duhet këta djem”, përfundoi Bellingham.





