Një billboard në Sheshin Palestinë në qendër të Teheranit thuhet se vinte me kërcënime me sulme hakmarrëse me raketa balistike ndaj Izraelit nëse IDF ose ushtria amerikane sulmojnë Iranin.
Fotografitë, të shpërndara edhe në mediat sociale të dielën, thuhet se tregojnë një hartë të Izraelit qendror, me objektiva kyçe të theksuara.
Aty përfshihen Aeroporti Ben-Gurion, selia e bazës Kirya të IDF në Tel Aviv, baza e Drejtorisë së Inteligjencës së IDF në Glilot, pranë Herzliya, dhe vende të tjera strategjike në të gjithë zonën.
Billboardi tregon gjithashtu një tavolinë ushtarake me një buton të kuq të ndezur “ZJARR”, një aeroplan luftarak, dy raketa balistike dhe një radio, së bashku me shënime politike.
“Ju filloni… Ne e përfundojmë”, shkruhet në titullin e billboardit në anglisht.
Kujtojmë se diplomatët amerikanë dhe iranianë zhvilluan bisedime indirekte në Oman të premten, me qëllim ringjalljen e diplomacisë mes një grumbullimi detar të SHBA-së pranë Iranit dhe premtimeve të Teheranit për një përgjigje të ashpër nëse sulmohet.
Në qershor, SHBA-të sulmuan objektet bërthamore iraniane në fund të një fushate 12-ditore bombardimi izraelite.
Teherani që atëherë ka thënë se ka ndaluar aktivitetin e pasurimit, të cilin SHBA-të e shohin si një rrugë të mundshme drejt bombave bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.









