Humbja e Viktor Orbanit në zgjedhjet në Hungari krijon një dritare të re mundësie për Kosovën, vlerëson Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve.
Ai e përshkruan largimin e liderit hungarez pas 16 vjetësh në pushtet si një “goditje” për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se ai ka qenë një faktor kyç që i ka dhënë Beogradit hapësirë manovrimi brenda BE-së.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë këtë “dobësim të Vuçiqit”, të tregojë përgjegjësi shtetërore dhe ta pozicionojë Kosovën si faktor stabiliteti, duke i lënë pas qasjet përçarëse.
“Ashtu siç administrata Trump nuk është e interesuar për lojërat e Vuçiqit, ajo nuk është e interesuar as për ato të Kurtit. Pezullimi i Dialogut Strategjik shtatorin e kaluar ishte dëshmi për këtë”, thotë Joseph për Radion Evropa e Lirë.
Joseph flet edhe për përplasjet mes SHBA-së dhe Evropës dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Kosovë, në kohën kur në BE po shtohen thirrjet për më shumë autonomi në fushën e mbrojtjes.
Megjithatë, sipas ekspertit amerikan, roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar – si boshti kryesor i NATO-s dhe garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan.






