PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI
Shaip Bela, tash e 5 vjet, jeton i vetëm mes këtyre katër mureve në ish-objektin e spitalit të mushkërive në Kaçanik. Ai u vendos aty përkohësisht, me shpresën se do te kalojë në objektin e ri te banesa e socialit.
Na kanë thanë për një banesë, në Kaçanik të Vjetër. Unë jam regjistru që 10-15 vite, por kurgja s’ka. Këtu janë familjet që kanë rast social edhe unë jam me social, e po presim çka po bohet a po na lëshojnë.
Jeta në një objekt ku ka insekte e myk në secilin cep është shumë e vështirë për Belën, por thotë se është i detyruar të jetojë në të, sepse nuk ka zgjidhje tjetër.
Jeta në këtë objekt është shumë e vështirë se ka shumë insekte. Jam detyru me ardhë këtu se s’kam pasë mundësi me pagu qira e për banesë e kom pyt komunën, m’kanë thanë hin veç mos dëmto kurgja.
Sabedin Vishi, nënkryetar i komunës së Kaçanikut, fajin për vonesën e projektit të banesave të socialit ia lë Qeverisë. Sipas tij, ekzekutivi nuk e ka ndarë buxhetin me kohë.
Projekti ka qenë në bashkëfinancim me Qeverinë. Qeveria është zotuar, por nuk ka mundur t’i bëjë ato pagesa dhe krejt kjo vonesë është bërë për shkak të mjeteve financiare.
Ndërkaq, në banesat e socialit, përfituese do të jenë 36 familje që janë në asistencë sociale.