spot_imgspot_img
spot_img

Izraeli thotë se do të hapë një rrugë të re për largim nga Qyteti i Gazës

Ushtria izraelite tha se do të hapë një rrugë të re të përkohshme më 17 shtator, për t’iu mundësuar banorëve që të largohen nga Qyteti i Gazës, një ditë pasi nisi një ofensivë të madhe që synon shkatërrimin e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria izraelite nisi bombardime masive në Qytetin e Gazës mëngjesin e së martës dhe çoi trupat më thellë brenda qendrës më të madhe urbane në Rripin e Gazës.

Ofensiva vjen pasi një hetim i kryer nga Kombet e Bashkuara e akuzoi Izraelin për kryerje “të gjenocidit” në territorin palestinez, duke thënë se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë nxitur këtë krim, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Të mërkurën, ushtria izraelite tha se po hap “një rrugë të përkohshme transporti përmes rrugës Salah al-Din”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Avichay Adraee, tha se korridori do të mbetet i hapur vetëm për 48 orë duke nisur nga mesnata e së enjtes, sipas kohës lokale.

Deri më tani, ushtria u kishte bërë thirrje banorëve që të largoheshin nga Qyteti i Gazës përmes rrugës buzë detit drejt asaj që e cilëson si “zonë humanitare” më në jug, përfshirë pjesë të Al-Mavasit.

Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug.

Në gusht, OKB-ja vlerësoi se afër 1 milion banorë jetojnë në Qytetin e Gazës dhe rrethinën e qytetit.

Izraeli tha se ofensiva tokësore e nisur të martën synon që të largojë Hamasin nga një prej bastioneve të tij të fundit në Rripin e Gazës.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja./REL

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA