Ushtria izraelite të premten paralajmëroi palestinezët që të mos lëvizin në pjesët veriore të Rripit të Gazës gjatë pauzës humanitare që hyri në fuqi herët në mëngjes.
Sipas një gazetari të Anadolu në terren, ushtria izraelite hodhi fletëpalosje në pjesët jugore të Gazës, duke përfshirë qytetin Rafah, duke urdhëruar që të mos lëviznin në veri mes thirrjeve të palestinezëve për të lëvizur atje pasdite.
“Për banorët e Rripit të Gazës, lufta nuk ka përfunduar ende, pauza humanitare është e përkohshme dhe rajoni verior i Gazës është një zonë lufte”, thuhet në fletëpalosje, shkruan Anadolu Agency, transmeton KosovaPress.
Aty gjithashtu sqarohet se lëvizja lejohet vetëm nga veriu në jug përmes rrugës Salahuddin në anën lindore të enklavës së vogël.
“Kthimi në veri është i ndaluar dhe i rrezikshëm, fati juaj dhe i familjes suaj janë në duart tuaja”, thuhet në përfundimin e fletëpalosjes.
Katari më herët të enjten tha se një marrëveshje për pauzë humanitare midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës do të fillojë në orën 7 të mëngjesit sipas orës lokale (0500 GMT) të premten.
Izraeli nisi sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14,854, tha të enjten zyra për mediave qeveritare në enklavën e bllokuar.
Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.