Në skenën ku dikur la gjurmë të pashlyeshme, sot pushoi në heshtje arkivoli i tij.
Aktori dhe regjisori i madh, Enver Petrovci, u përcoll sot për në banesën e fundit në Prishtinë, një ditë pasi ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Në Teatrin Kombëtar u mbajtën homazhe dhe një mbledhje komemorative, ku morën pjesë familjarë, kolegë, studentë, personalitete të artit dhe krerë institucionalë. Vajza e tij, Vanesa Petrovci, foli me dhimbje për humbjen e babait, ndërsa ish-kolegët e përshkruan si një artist të madh, trashëgimia e të cilit do t’i mbijetojë kohës.
“Petrovci na mësoi jo vetëm të aktronim, por edhe si të jetonim për artin”, tha njëri nga ish-studentët e tij. Ndërsa përfaqësues të institucioneve theksuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës shqiptare.
Pas homazheve, trupi i tij u përcoll për në varrezat e qytetit, ku u zhvillua ceremonia mortore.
Enver Petrovci ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, ndërsa gjatë karrierës së tij interpretoi mbi 200 role, duke fituar dhjetëra çmime brenda dhe jashtë vendit.
Trashëgimia e tij artistike e akademike mbetet një kapitull i pavdekshëm i teatrit shqiptar.