Deputeti serb dhe ish-pjesëtari i ushtrisë serbe, Petar Boshkoviq, ka deklaruar se udhëheqja shtetërore e Serbia nuk mund të ketë qenë jashtë dijenisë për sulmin në Banjskë, duke ngritur dyshime serioze për përfshirje institucionale.
Sipas tij, është e pabesueshme që presidenti Aleksandar Vuciq dhe drejtuesit kryesorë të sigurisë e ushtrisë të mos kenë pasur informacion për përgatitjet dhe zhvillimin e ngjarjes.
“Është e pamundur që një njeri që e quan veten komandant suprem të mos e ketë ditur këtë,” tha Boshkoviq, duke shtuar se “është po aq e pamundur që këtë të mos e kenë ditur edhe drejtuesit e shërbimeve dhe strukturave ushtarake.”
Ai përmendi konkretisht edhe zyrtarë të lartë të asaj kohe, përfshirë Aleksandar Vulin, Bratislav Gashiq dhe gjeneralin Milan Mojsiloviq, për të cilët beson se nuk mund të kenë qenë të painformuar.
Boshkoviq theksoi se ekzistojnë indicie për një përfshirje më të gjerë, duke përmendur edhe rolin e strukturave ushtarake: “Tani e dimë që Mojsiloviq madje mori pjesë në disa ushtrime, pasi njerëzit e Radoiçiq-it i kanë filmuar me dron. Pra, ushtria ka shërbyer si logjistikë.”
Ai rikujtoi gjithashtu se i dyshuari kryesor, Milan Radoičiq, u arrestua dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur në liri, duke e cilësuar këtë si një tregues të fortë për përfshirje politike.
“Nuk keni nevojë për shumë prova që njerëz nga SNS kanë qenë absolutisht të përfshirë në këtë,” u shpreh ai.
Duke komentuar vetë aksionin, Boshkoviq shtoi: “Ata madje njoftuan paraprakisht çfarë do të ndodhte. Në fund, Radoiciq la dokumentet personale dhe braktisi të plagosurit – diçka që nuk ndodh kurrë në një operacion. Ky është një ‘dizajn’ i dështuar që nuk solli asgjë përveç pasojave. /N1






