Ish-presidenti i Perusë, Ollanta Humala, është shpallur fajtor për pastrim parash dhe është dënuar me 15 vite burg, raporton BBC.
Një gjykatë në kryeqytetin Lima tha se Humala kishte pranuar fonde të paligjshme nga kompania braziliane e ndërtimit Odebrecht për të financuar fushatat e tij zgjedhore në vitet 2006 dhe 2011.
Bashkëshortja e tij, Nadine Heredia, e cila e themeloi Partinë Nacionaliste së bashku me Humala-n, u shpall gjithashtu fajtore për pastrim parash dhe u dënua me 15 vite burg.
Ministria e Jashtme e Perusë njoftoi se Heredia ka marrë azil politik në Brazil dhe do të ketë të drejtë kalimi të sigurt për të udhëtuar atje së bashku me djalin e saj.
Prokurorët kishin kërkuar që Humala të dënohej me 20 vite burg dhe Heredia me 26 vite e gjysmë.
Pas një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se tre vjet, gjykata dha vendimin e shumëpritur të martën.
Humala mori pjesë personalisht në seancën e shpalljes së vendimit, ndërsa bashkëshortja e tij e ndoqi përmes një lidhjeje video.
Ish-presidenti 62-vjeçar dhe bashkëshortja e tij i kishin mohuar të gjitha akuzat.
Kush është Ollanta Humala?
Humala, një ish-oficer ushtrie që kishte luftuar kundër rebelëve maoistë të grupit “Shtegu i Ndritshëm”, u bë i njohur në vitin 2000 kur udhëhoqi një rebelim të shkurtër ushtarak kundër presidentit të atëhershëm Alberto Fujimori, raporton KosovaPress.
Në vitin 2006, ai kandidoi për president. Ai u afrua me presidentin venezuelian të asaj kohe, Hugo Chávez, dhe prokurorët pretendojnë se Humala kishte marrë fonde të paligjshme nga Chávez për të financuar fushatën e tij.
Rivali i tij për presidencën, Alan García, e përdori lidhjen e Humalës me Chávez-in si një mënyrë për ta sulmuar, duke i paralajmëruar votuesit “të mos e kthenin Perunë në një tjetër Venezuelë”.
Në vitin 2011, Humala kandidoi sërish për presidencën, këtë herë me një qasje më të moderuar.
Ai deklaroi se, në vend që të ndiqte revolucionin socialist të Chávez-it në Venezuelë, do të modelonte politikat e tij sipas presidentit brazilian të asaj kohe, Luiz Inácio Lula da Silva.
Qasja e tij rezultoi e suksesshme dhe ai mundi rivalen e djathtë, Keiko Fujimori.
Por konfliktet sociale të dhunshme që shpërthyen në fillim të presidencës së tij e dëmtuan shpejt popullaritetin e tij.
Ai humbi gjithashtu mbështetjen e shumë deputetëve në Kongres, duke e dobësuar më tej pozitën e tij.
Problemet e tij ligjore nisën menjëherë pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2016.
Në atë vit, gjiganti brazilian i ndërtimit Odebrecht pranoi se kishte paguar qindra miliona dollarë ryshfete për zyrtarë qeveritarë dhe parti politike në të gjithë Amerikën Latine, për të siguruar kontrata.
Prokurorët akuzuan Humalën dhe bashkëshorten e tij se kishin marrë miliona dollarë nga Odebrecht.
Një vit më vonë, një gjykatës urdhëroi që çifti të mbahej në paraburgim para gjyqit.
Ata u liruan pas një viti, por hetimet për lidhjet e tyre me Odebrecht vazhduan, duke kulmuar me vendimin e sotëm.