Transmetuesi shtetëror iranian IRIB ka shkruar në Telegram se ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, nuk planifikon të takohet me SHBA-në në Pakistan.
Sipas tij, Islamabadi mund të shërbejë si një “urë” për të “përcjellë qëndrimin e Iranit për përfundimin e konfliktit”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar më herët se po dërgonte të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Islamabad, pasi iranianët dëshironin të bisedonin “ballë për ballë”.
Araghchi mbërriti në Pakistan të premten në mbrëmje – ambasada iraniane në Pakistan ka bërë të ditur se ai planifikon të “rishikojë çështjet dypalëshe” mes Iranit dhe Pakistanit.
Duke cituar një zyrtar të lartë të qeverisë pakistaneze, ABC News raporton se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit do të zhvillojnë takime të ndara me zyrtarët pakistanezë gjatë këtij fundjave.
Më tej thuhet se, nëse këto takime shkojnë mirë, zyrtarët amerikanë dhe iranianë mund të takohen drejtpërdrejt të dielën.






