Irani ka informuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatën Ndërkombëtare Detare se “anijet armike” mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit nëse koordinohen më parë me autoritetet iraniane. Ky mesazh vjen në një kohë kur lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ka ndaluar pothuajse kalimin e rreth një të pestës së naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë përmes ngushticës, gjë që ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në furnizimin global, shkruan Reuters.
Letra nga Ministria e Punëve të Jashtme iraniane iu dërgua të dielën Këshillit të Sigurimit, i cili ka 15 anëtarë, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Të martën, ajo iu dërgua adresave të 176 anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), agjencisë së OKB-së me seli në Londër përgjegjëse për sigurinë e lundrimit ndërkombëtar dhe parandalimin e ndotjes detare.
“Anijet armike, përfshirë ato që u përkasin ose janë të lidhura me shtete të tjera, mund të ushtrojnë të drejtën e kalimit të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit në koordinim me autoritetet kompetente iraniane. Kushti është që ato të mos marrin pjesë në agresion kundër Iranit ose ta mbështesin atë, dhe që të zbatojnë plotësisht rregulloret e publikuara të sigurisë”, thuhet në letër.
Memorandumi thotë se Irani “ka ndërmarrë masa të nevojshme dhe proporcionale për të parandaluar agresorët dhe mbështetësit e tyre nga shfrytëzimi i Ngushticës së Hormuzit për të kryer operacione armiqësore kundër Iranit”.
Ai shtoi se anijet, pajisjet dhe të gjitha pronat që i përkasin Shteteve të Bashkuara ose Izraelit, “si dhe pjesëmarrësve të tjerë në agresion, nuk kualifikohen për kalim të pafajshëm ose jo-armiqësor”.






