Informimi, si zëvendësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Qeveria ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ për edukimin, vetëdijesimin dhe ngritjen e potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes. Ajo ka paraparë ngritjen e ekipeve mobile nëpër komuna, në të cilat zyrtarë civilë dhe ushtarakë do të ligjërojnë dhe demonstrojnë edhe në praktikë aftësitë për mbrojtje. Por, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

Njohës të Sigurisë janë shprehur skeptikë me nismën e Qeverisë, sipas së cilës në komunat e Kosovës do të ngrihen qendra, në të cilat të rinjtë do të aftësohen teorikisht dhe në praktikë për ta mbrojtur territorin e shtetit. Ata thonë se, në vend të kësaj, Qeveria duhej ta bënte të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Suad Bikliqi, thotë se informimi i qytetarëve për fushën e mbrojtjes është i nevojshëm, por kërkon diçka tjetër.

“Në aspektin e draftudhëzimit, i hartuar nga MM-ja, nuk mendoj që mund të ketë shumë efektivitet kjo pjesë e vetëdijesimit duke ndërtuar zyra mobile nëpër qytete të ndryshme ose në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo, sepse koha që iu ofrohet qytetarëve të Republikës së Kosovës është e shkurtër dhe nuk mund të ndikojë shumë në pjesën e vetëdijesimit”, ka thënë Bikliqi.

Është Ministria e Mbrojtjes ajo që ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ, i cili ka për qëllim përcaktimin e autoriteteve, përgjegjësitë, mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve për shërbim në fushën e mbrojtjes.

“Zyrat mobile do të jenë të kompletuara me pajisje dhe me personel të trajnuar, i cili do të angazhohet për prezantimin e politikave të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në dokument.

Udhëzimi administrativ është paraparë të zbatohet nga personeli civil dhe ushtarak që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë.

Në nenin e shtatë të draftit janë listuar aspektet që duhet t’i përmbajë Programi për realizimin e aktiviteteve të kësaj politike. Ne mesin e tyre është edhe ofrimi i informacioneve për fushën e mbrojtjes, si dhe motivimi dhe nxitja për përfshirje në FSK. Po ashtu janë paraparë edhe orë teorike e edhe ofrimi i trajnimeve praktike për të rinjtë vullnetarë.

Njohësi Suad Bikliqi konsideron se nxitja e të rinjve për të shërbyer në FSK do të ishte më e suksesshme nëse do të realizohej përmes shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Në aspektin e sigurisë pa dyshim se kjo nismë e ka një pjesë të efektit të saj se qytetarët vetëdijesohen, por sa i përket nxitjes, unë mendoj që mënyra më e mirë për nxitjen ose angazhimin e të rinjve në Ushtrinë e Kosovës është vetë shërbimi obligues ushtarak në Republikën tonë”, ka thënë ai.

Vetëvendosja që qeveris me vendin është zotuar sa ka qenë në opozitë se, kur ta marrë pushtetin, do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak. Por, pas marrjes së pushtetit, veprime për këtë nuk ka ndërmarrë, ndërkaq zyrtarë të saj kanë thënë se një politikë e tillë do të ishte e kushtueshme.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA