Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Këto deklarata ai i bëri pas takimit më kryeministrin e vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave Hekuran Murati, teksa ai ishte i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Ai tha se ShBA është e shqetësuar se zbatimi i rregullores së BQK-së do të ndikojë në mënyrë të padrejtë në komunitetet pakicë, duke iu referuar komunitetit etnik serb.
Ambasadori amerikan tha se shteti i tij dëshiron të shtyhet zbatimi i këtij vendimi pasi sipas tij duhet zhvilluar një plan dhe strategji në mënyrë që të funksionojë vendimi në fjalë.
“Sapo u bashkova me kolegët e mi nga trupi diplomatik për një bisedë dhe një informim nga kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, dhe ministri i financave Murati duke biseduar sigurisht për çështjen në të cilën po punojmë të gjithë, e cila është çështja se si të sigurohemi që rregullorja, ju e dini, rregullorja e ndryshuar e miratuar nga Banka Qendrore të mos ndikojë padrejtësisht në elementin e shoqërisë kosovare, dhe siç u shpreha gjatë një deklarate të fundjavës, ne jemi të shqetësuar që zbatimi i kësaj rregulloreje, përveç nëse ka disa rregullime, do ndikojë në mënyrë të padrejtë te komunitetet pakicë, duke përfshirë komunitetin etnik serb. Pra, kjo ishte biseda që bëmë, do të thoja se të gjithë ne nga trupi diplomatik, që folëm për këtë çështje, shprehëm shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj. Unë vetëm mund të ritheksoj atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, ne shpresojmë ta shohim një shtyrje në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të jetë bërë më shumë punë për të zhvilluar një plan dhe një strategji, dispozita që faktorizojnë disa realitete që shqetësojnë komunitetin, por edhe disa praktika, si e merr një individ, i cili merrte një përfitim social në të holla nga një zyrë postare, tani në një mënyrë që të funksionojë për të. Dhe kështu, këto janë bisedat që kemi bërë”, tha Hovenier.
Hovenier shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe respektojnë rolin e BQK-së, por se mënyra e zbatimit të kësaj rregullorje nuk merr parasysh disa prej shqetësimeve të komunitetit serb.
“Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik për ta shpjeguar këtë. Pra, përderisa ne absolutisht respektojmë, mbështesim dhe mirëpresim zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe ndërkohë që e njohim dhe respektojmë rolin e Bankës Qendrore dhe rregullimin e sektorit financiar, dhe ndërkohë që, në fakt, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm, rolin për të ndihmuar në mbështetjen e këtyre institucioneve që të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre në mënyrë efektive dhe të aftë përmes trajnimeve, përmes një këshille eksperte dhe gjithçka tjetër. Dhe sigurisht që ne mbështesim përpjekjet për të shmangur krimet financiare, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit, dhe gjëra të tilla. Ne kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje që nuk besojmë se merr parasysh disa realitete dhe shqetësime nga komuniteti, pra kjo ishte e jona, për këtë ishte kjo bisedë”, tha Hovenier.
Ndërkaq i pyetur se nëse Qeveria e Kosovës ka dhënë ndonjë shenjë se do ta ndryshojë vendimin e saj dhe nëse Kosova rrezikon të përballet me sanksione të reja, Hovenier tha se është në dorën e Qeverisë të deklarohet për zbatimin e rregullores.
Kurse sa i përket asaj se nëse qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
“Pra, do ta lë qeverinë të flasë se sa është e përgatitur të rishqyrtojë se si do ta zbatojë këtë rregullore. Unë mund të flas vetëm për atë që është kërkesa e Shteteve të Bashkuara, që është një shtyrje, kështu që të ketë më shumë punë për ta zbatuar atë në një mënyrë që ne besojmë se është në përputhje me standardet evropiane dhe për të pasur një periudhë të mjaftueshme edukative. Dua të them që qeveria ka folur për një tranzicion dhe ne shpresojmë që ai tranzicion të marrë parasysh këto shqetësime. Në lidhje me çdo veprim të qeverisë amerikane, gjithçka që mund të them është, ne do të shpresonim që qeveria të bashkëpunojë me ne për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje për të cilën ne kërkojmë partneritet, dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve, ajo do të përforcojë partneritetin tonë më të gjerë, ndërsa në masën që qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne për këtë çështje shumë të ndjeshme do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tone”, tha Hovenier.