Përgatiti: Arian Hajdaraj
Ky objekt që ndodhet në dalje të fshatit Kishnicë, afro 10 kilometra larg kryeqytetit, në vitet e pasluftës shërbente si bazë e njësive Speciale të Policisë së Kosovës, që në atë kohë quhej ROSU.
Në dyer e në dritare ende ekzistojnë shenja të punës, ashtu siç në historinë e re ka mbetur një veprim sindikal i tyre.
“Kanë kërkuar një takim me menaxhmentin e Policisë dhe ministrin Zenun Pajaziti, që të bisedojnë rreth mundësisë për ngritje të pagave, mundësisë të ligjit për sigurime sociale e shëndetësore, kushtet e punës, sigurimin e shujtës ushqimore…”, tha ish-zëvendëskomisari për Operativë, Reshat Maliqi.
“Protesta ishte alarmuese, meqenëse ishim në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë”, tha ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
Ish-zëvendëskomisari për operativë, Reshat Maliqi, kujton se specialët ishin të vendosur për kërkesat.
“Ata kanë qëndru në objekt gjatë orarit të punës. Për fat të mirë, ato ditë nuk kemi pasë ndonjë angazhim shtesë. Dhe pas përfundimit të orarit, secili është shpërnda në shtëpitë e tyre, dhe e kanë vazhduar të nesërmen”, tha Maliqi.
Vetëm në ditën e tretë të protestës, njësiti ROSU siç quhej atëherë, u vizitua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
“Unë kam qenë në një vizitë jashtë vendit, me të marrë vesh se njësitë kanë hy në grevë, e kam mbyllë vizitën, dhe kam ardhur jo në zyrë, jo në shtëpi, por te policët në grevë. Ju kam kumtuar se po përgatisim sistem të ri të pagave dhe në bashkëpunim me ta kemi arritur të binden se po punojmë për ta. Atë natë kemi qëndruar me ta deri vonë, ata kanë dalë…”, tha Pajaziti.
Kështu, disa orë pas këtij takimi, policët kishin ndërprerë grevën, e cila u shënua si e para e tillë, pas formimit të institucioneve.