Të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë janë duke u intervistuar nga autoritetet, nën dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Lajmi është konfirmuar nga burime të afërta me hetimet, të cilat bëjnë të ditur se intervistimet po zhvillohen në kuadër të një procesi hetimor për parregullsi të mundshme në administrimin dhe numërimin e votave.
Sipas informatave zyrtare, hetimet ndodhen ende në fazën fillestare dhe aktualisht nuk ka të dhëna për arrestime në këtë komunë. Autoritetet po mbledhin prova dhe po analizojnë dokumentacionin zgjedhor për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të ligjit.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë të ditur se gjetjet fillestare lidhur me rastin tashmë i janë dorëzuar Prokurorisë. Policia ka theksuar se veprimet e mëtejme do të ndërmerren vetëm pas udhëzimeve nga ana e organit të akuzës.
Ndërkohë, në komunat e tjera të vendit janë shënuar zhvillime të ngjashme. Deri më tani, komisionerë zgjedhorë janë arrestuar dhe ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë për dyshime të njëjta. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë prova edhe në Podujevë, Pejë dhe Obiliq, në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të votës.






