Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të ecë përpara me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se me von der Leyen kanë diskutuar mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore.”, ka shkruar Osmani.