Një studim i ri zbulon se fragmente të vogla të atmosferës së Tokës transportohen dhe absorbohen nga Hëna përmes erërave të fuqishme diellore dhe fushës magnetike të planetit tonë, duke sfiduar një teori 20-vjeçare bazuar në mostrat hënore të misioneve Apollo.
Që nga misionet e NASA-s në vitet 1970, shkencëtarët janë habitur nga gjurmët e lëndëve të lehta, si uji, dyoksidi i karbonit, heliumi, argoni dhe azoti, të gjetura në rërën hënore. Disa prej këtyre lëndëve, sidomos jonet e azotit, vijnë nga atmosfera e sipërme e Tokës dhe supozohet se janë transportuar nga erërat diellore. Studime të fundit gjithashtu tregojnë se disa lëndë, si uji, mund të krijohen direkt nga era diellore dhe nuk lidhen me Tokën.
Derisa teoritë e mëparshme sugjeronin se transferimi i joneve atmosferikë mund të kishte ndodhur vetëm para se Toka të zhvillonte fushën e saj magnetike, studimi i ri tregon diçka tjetër. Duke kombinuar të dhënat e mostrave Apollo me modele kompjuterike të evolucionit të magnetosferës së Tokës, studiuesit zbuluan se transferimi i jonëve ishte më i madh kur Hëna kalon përmes bishtit magnetik të Tokës, pjesa më e madhe e magnetosferës që drejtohet gjithmonë larg Diellit. Kjo ndodh kur Toka është midis Hënës dhe Diellit, afër fazës së Hënës së plotë.
Modelimet tregojnë se linjat magnetike të bishtit veprojnë si rrugë të padukshme për jonët e ngarkuar, duke i udhëhequr drejt Hënës ku depozitohen në regolitin hënor. Kjo sugjeron se transferimi i jonëve atmosferikë ka filluar rreth 3.7 miliardë vjet më parë dhe ndoshta vazhdon edhe sot.
Ky zbulim do të thotë se mostrat hënore mund të shërbejnë si një “kapsulë kohe” për historinë e atmosferës dhe magnetosferës së Tokës. Mostrat e ardhshme nga programet hënore, si Artemis i NASA-s dhe misionet kineze, mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë historinë gjeologjike të Tokës.
Toka nuk është objekti i vetëm që humb pjesë të atmosferës ndaj erës diellore; Mërkuri shpesh ka një bisht pluhuri si kometë, ndërsa Hëna ka një bisht jonësh natriumi që Toka e kalon rregullisht.
Studiuesit besojnë se kjo mund të ndihmojë për të kuptuar edhe largimin e hershëm të atmosferës në planet të tjerë, si Marsi, që sot nuk ka fushë magnetike globale por dikur kishte një të ngjashme me Tokën. Ky studim mund të ndihmojë në të kuptuarit e mënyrës se si këto procese ndikojnë në aftësinë e një planeti për të mbajtur jetë. /






