Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe te varri i tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se Rrahmani ishte luftëtar i guximshëm, por më shumë se kaq ishte edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet.
“Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej”.
“Agroni ra heroikisht me 12 maj 1998. Ajo ishte javë e kobshme për luftën tonë dhe një nga goditjet më të rënda të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare. Para rënies së tij, kishte rënë me 7 maj Bahri Fazliu dhe me 9 maj Ilir Konushevci. Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmai dhe të gjithë heronjëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar ajo.





