Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Hysri Selimit, i dyshuar për veprën penale “Spiunazh”.
Ai akuzohet se nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 06.05.25, ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë e njohur si BIA.
Sipas aktakuzës, Hysri Selimi më 22.11.2015 kishte udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste “ISIS” dhe pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, kishte vazhduar të spiunonte për BIA-n.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hysri Selimi kishte dërguar informacione tek zyrtarët e BIA-së, në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në “ISIS”, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata. Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell informata tjera të rëndësishme.
Sipas aktakuzës, si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-së e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale që i vihen në barrë dhe ndaj tij të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi.