​Hapet Oda Nordike e Tregtisë, Kurti: Urë lidhëse për investime në Kosovë

Kosova është një pretedent i madh për t’u konsideruar si destinacion i ardhshëm i investimeve të rajonit nordik, tha sot kryeministri Albin Kurti në hapjen e Odës Nordike të Tregtisë në Kosovë. Sipas tij, kjo e fundit do të shërbejë si një katalizator për përparimin e platformës që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen mes vendeve nordike dhe Kosovës. Hapjen e kësaj ode e mirëpritën edhe tre ambasadorët e vendeve nordike, ai suedez, finlandez dhe norvegjez, të cilët potencuan nevojën për një potencial të ri të bashkëpunimit ekonomik mes tri vendeve dhe Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e Odës Nordike të Tregtisë në Kosovë u shpreh e bindur se kjo nismë do të ndihmojë në rritjen ekonomike të Kosovës dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se rritja ekonomike dhe reformat e ndërmarra në Kosovë do të lehtësojnë investimet e rajonit nordik në Kosovë.

“Për sa i përket pjesës së rritjes ekonomike dhe të vendeve të punës, ne kemi shënuar gjithashtu një progres mbresëlënës. Me një rritje mesatare prej shtatë për qind të PBB-së gjatë dy viteve të fundit, ne kemi shënuar përqindjen më të madhe të rritjes në rajon. Gjithashtu kemi pasur një rritje prej 23 për qind të eksporteve dhe 44 për qind rritje të IHD-ve në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021. Por, kjo është një rritje mbi rritje sepse edhe në vitin 2021 ka pasur progres në krahasim me vitin 2020. Kështu që, me siguri mund të them se Kosova është një pretendent i madh për t’u konsideruar si destinacioni i ardhshëm i investimeve të rajonit nordik. Një nga objektivat kryesore të rajonit nordik do të jetë mbështetja e investitorëve të mundshëm nga vendet nordike për të eksploruar mundësitë e investimeve dhe shkëmbimit tregtar për dhe nga Kosova. Një odë tregtie shërben si një katalizator për përparimin e platformës që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe sipërmarrjen. Ne shikuam biznesin e regjistruar dhe të dhënat e Administratës Tatimore dhe zbuluam se janë rreth 70 investitorë të huaj direkt nga rajoni nordik. Sipas shifrave, të dhënat që kemi analizuar, ka shumë mundësi për shkëmbim tregtar dhe IHD me vendet nordike. Rajoni nordik në tërësi ka importuar rreth katërqind e pesëdhjetë e shtatë miliardë euro mallra në vitin 2021. Ndërsa, i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor ka eksportuar rreth 51 miliardë euro mallra në të njëjtin vit”, tha Kurti.

Ndërsa,ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund tha se hapja e kësaj ode është një mundësi e mirë për Kosovën edhe për rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

“Për disa arsye, marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Suedisë janë mjaft të vogla. E kam thënë edhe para mediave se tregtia mes Suedisë dhe Kosovës është më e lartë se ajo mes Suedisë dhe San Marinos, por është më e vogël se ajo mes Suedisë dhe Lihtenshtajnit, kështu që mendoj se kemi shumë gjëra për të punuar, ashtu siç tha Afërdita, ne sigurisht që mund ta përdorim këtë si një mjet…. Kjo është e vërtetë e transferueshme tani, siç theksoi kryeministri është pothuajse e sigurt, ne kemi shumë kompani në Evropë që e zhvendosin prodhimin nga Azia, Kina, Indonezia në Evropë dhe mendoj se kjo është një mundësi shumë e mirë për Kosovën që të tërheqë kompanitë që të vijnë në Kosovë dhe nisin prodhimet”, theksoi ai.

Kurse, ambasadori finlandez, Matti Nissinen u shpreh optimist se në këtë formë do të shfrytëzohet potenciali i pashfrytëzuar mes Kosovës dhe vendeve nordike.

“Kemi dëgjuar nga folësit e mëparshëm se ka një potencial të madh të pashfrytëzuar dhe besoj se kjo është një mundësi shumë e mirëpritur për të shfrytëzuar realisht potencialin. Është një simbol i fuqishëm i angazhimit tonë për të nxitur bashkëpunimin e biznesit dhe promovimin e prosperitetit të ndërsjellë. Ne si Finlandë na pëlqen të shohim veten si një komb që është i njohur për inovacionin, përparimet teknologjike dhe vizionin e gjallë të biznesit. Dhe ne besojmë se ky vizion është i përbashkët këtu në Kosovë. Me kalimin e viteve, tregtia jonë është rritur dhe ka krijuar mundësi për kompanitë finlandeze që mund të shfaqin produktet dhe shërbimet e tyre këtu në vend dhe ne besojmë se tani mund ta çojmë atë në një nivel tjetër. Është koha për të hedhur hapin tjetër”, deklaroi Nissinen.

Ndërkaq, ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl tha se përmirësimi i klimës së të bërit biznes në Kosovë do t’i hap rrugë investimeve nga vendet nordike.

“Mendoj se është një ndryshim i paradigmës që po e shohim, sepse gjërat po ndodhin, industritë po zhvillohen, Kosova po ndërmerr një sërë reformash masive, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme, për të cilat brenda sektorit privat do të bëhet zhvillimi, ashtu siç theksoi edhe kryeministri, janë treguesit e përgjithshëm dhe shumë specifik edhe për sundimin e ligjit, kundër korrupsionit dhe përmirësimet shoqërore, kjo është shumë e rëndësishme për mjedisin e biznesit, si dhe pozicionimin gjeofizik të Kosovës ndërmjet tregjeve në Lindje, tregjeve në Perëndim, tregjeve në veri, tregjeve në jug. Dhe do të ketë shumë mundësi të reja fantastike për lidhje fizike dhe gjithashtu dixhitale brenda dhe përreth Kosovës në vitet në vijim”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Odës Nordike të Tregtisë në Kosovë, Afërdita Pllana-Ibrahimi deklaroi se e njëjta do të shërbejë si një qendër për rrjetet e biznesit, avokimit dhe shërbimet mbështetëse për kompanitë.

“Oda Nordike e Tregtisë do të shërbejë si një qendër qendrore për rrjetet e biznesit, avokimin dhe shërbimet mbështetëse. Do të jetë një vend ku sipërmarrësit, pronarët e bizneseve të vogla dhe kompanitë e themeluara mund të bashkohen për të punuar dhe gjithashtu për të shkëmbyer ide, për të eksploruar mundësitë dhe për të bashkëpunuar në projekte që do të përfitojmë të gjithë ne”, tha ajo.

Hapjen e kësaj ode e mirëpriti edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari./KosovaPress/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA