Hap dyert panairi ​Kosova 2025: Turizmi urë e bashkëpunimit rajonal dhe global

Në Prishtinë është hapur sot edicioni i katërt i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, një ngjarje që synon promovimin e Kosovës si një destinacion turistik me potencial të lartë dhe të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik

Panairi i sivjetshëm dyditorë ka mbledhur mbi 340 kompani nga 16 shtete, një rritje e madhe krahasuar me edicionin e parë katër vite më parë, që kishte vetëm 60 kompani pjesëmarrëse.

Derisa qëllimi kryesor i këtij edicioni është forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e turizmit, si dhe nxitja e investimeve në këtë sektor në rritje.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, gjatë hapjes së panairit theksoi zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka shënuar kjo ngjarje që nga edicioni i parë.

Ai shtoi se vetëm në vitin e kaluar turizmi në Kosovë ka shënuar rritje prej 36.8 për qind, krahasuar me vitin paraprak, duke theksuar se sektori është në rritje të qëndrueshme dhe me ndikim të madh në ekonominë vendore.

“Filluam me 60 kompani në vitin e parë para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 kompani nga 16 shtete, dhe nuk mund të themi vetëm nga Ballkani apo Evropa, por nga gjithë bota. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanada. Ne e përmbyllëm vitin e kaluar me një rritje prej 36.8 për qind, rritje të numrit të turisteve në Kosovë në raport me vitin e kaluar dhe ishte një rezultat shumë i mirë. Po punojmë që bashkërisht me gjithë akterët të industrisë së turizmit dhe partneret ndërkombëtar të cilët dita ditë po shtohen. Po synojmë që edhe 2025 të jetë një vit i suksesit për Kosovën, një vit i cili do të shënojë rritje të turizmit”, tha Hoti.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënvizoi rëndësinë strategjike të turizmit për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Një platformë që bashkon liderët e industrisë, ekspertet, akterët dhe partnerët nga vendet e ndryshme dhe Kosova për të fuqizuar sektorin e turizmit si një sektor që ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor në vendin tonë. Si një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe një shtytës për rritje të qëndrueshme në krijimin e vendeve të punës, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe për nxitjen e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit global, turizmi po ashtu ka një rol thelbësor në forcimin e lidhjeve mes njerëzve dhe kulturave si dhe në ndihmën që u jep ekonomive tona në rajon dhe në botë… Vetëm në këtë mandat kemi rritje prej 50 për qind të numrit të turisteve krahasim me vitet 2017-2020”, tha Hajdari.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili theksoi përkushtimin për të krijuar një ambient më të favorshëm për zhvillimin e turizmit, raporton KosovaPress.

“Është një dritare, e cila na ofron një pamje të ndritshme drejt të ardhmes së vendit tonë si një vend i mbushur me mundësi të shumta, si një vend që ka vizion për të ardhmen. Ky panair është lokacioni ku mund të prekim një të ardhme dhe të shohim si turizmi mund të lidhë zemrat tona, të sjellë vizitorë, si dhe mundësi të reja për qytetin tonë, Prishtinën dhe gjithë vendin. Prishtina e sheh turizmin si një sektor shumë me rëndësi”, tha Rama.

Ministri për të Drejtat e Njeriut i Malit të Zi, Fatmir Xheka theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e turizmit dhe rolin kyç që luajnë turistët kosovarë në ekonominë bregdetare të Malit të Zi, veçanërisht në Ulqin.

Sipas tij, një nga indikatorët më të fuqishëm të kësaj lidhjeje është edhe investimi i biznesit kosovar në Ulqin, i cili, sipas vlerësimeve të fundit, tejkalon shifrën prej 1 miliard euro.

“Kemi ardhur për të treguar përkushtimin tonë për rëndësinë e këtij panairi këtu dhe për të treguar atë se sa është i rëndësishme turizmi për Malin e Zi, sidomos turistët kosovarë. Atë që Qeveria e Malit të Zi bën për të promovuar ofertën e saj, duke e ditë që shumica e turistëve kosovar pikërisht frekuentojnë Ulqinin. Ajo çka më gëzon është që viteve të fundit investimi i biznesit nga Kosova në Mal të Zi, gjegjësisht në Ulqin mund të konsiderohet mbi 1 miliard euro, ose tejkalon këtë shifër, kjo e bënë më të madhe edhe ofertën tonë të cilën do e prezantojmë. Atë çka Qeveria e Malit të Zi bënë për përgatitjen për sezonin veror, është që ne bëjmë një task-forcë. Në task-forcë janë lokale dhe shtetërore, ku të gjitha organet shtetërore dhe lokale përgatitën për të pritur numrin e madh të turistëve, të bashkëpunojmë së bashku”, tha Xheka.

Ulqini vazhdon të jetë një nga destinacionet më të dashura për pushuesit nga Kosova dhe këtë e theksoi qartë edhe përfaqësuesi nga Ulqini, Genc Nimanbegu.

“Kënaqësi që këtë vit jemi pjesë e panairit të turizmit të Prishtinës, ku do të prezantohet çka Ulqini ofron. Ulqini është i juaji dhe Ulqini jeton në Kosovë. Është një mundësi e veçantë për të gjithë që doni detin, relaksimin dhe mikpritjen që të njiheni me afër me ofertat, risitë dhe përvojat që ju presin. Ulqini është destinacion që lidh historinë me të tashmen, natyrën me njeriun, qetësinë me gjallërinë. Është i njohur plazhin e madh dhe shtrihet me kilometra të tëra në rrezet e diellit, për rerën e shëndetshme, për netët e paharrueshme buzë detit, vend ideal për të gjitha moshat. Besoj se edhe ju e dini në atë që po ngjan së fundi në komunë dhe qeveri, kryeministri i Malit të Zi. Ku kjo e fundit insiston me shpejtësi dhe pa kurrfarë analize që të nënshkruajnë një marrëveshje afatgjate me Emiratet e Bashkuara arabe, ku parashihen investime në tërë plazhin e madh si një perlë e vërtetë, ne si komunë kemi ngritur zërin, nuk jemi kundër investimeve, por kërkojmë që të bëhet në mënyrë transparente, konform planeve dhe ligjeve në fuqi. Kosova dhe Ulqini janë të lidhura jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht”, tha ai.

Gjatë pjesëmarrjes në Panairin e Turizmit në Kosovë, Rahman Kasa nga Unioni i Turizmit të Shqipërisë vlerësoi se mbështetja e autoriteteve është thelbësore për zhvillimin e turizmit dhe propozon një ide ambicioze për të ardhmen: një panair të përbashkët mbarëkombëtar.

“Më vjen shumë mirë që këtu ka shumë pjesëmarrës dhe nga viti në vit që panairi i turizmit të Kosovës ka përmirësim. Normalisht, duhet që patjetër të ketë mbështetje të autoriteteve. Turizmi sot po kthehet në industri në shumë vende… Jam i mendimit që ne të kemi një panair të përbashkët të turizmit për të promovuar hapësirën mbarë shqiptare, sepse në qoftë se kemi kufij politikë apo administrativë, së paku në turizëm nuk duhet të kemi asnjë lloj kufiri dhe duhet të promovojmë hapësirat e përbashkëta historinë tonë të përbashkët, dhe për këtë duhet një angazhim i madh politik”, tha ai.

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxha theksoi rëndësinë që kanë turistët nga Kosova për Ulqinin, duke përmendur se rreth 30% e pushuesve në këtë qytet bregdetar janë nga Kosova, pavarësisht ndikimit të mundshëm të liberalizimit të vizave në vitin e kaluar.

“Jemi shumë të kënaqur me frekuencën dhe mund të themi se është në një nivel shumë të lartë. Edhe si punonjës i organizatës turistike që 15 vite që punoj mund të themi se këtë radhë është tamam turistik. Interesimi besoj se gjatë ditës së sotme dhe së nesërme besoj do të jetë në nivel siç është nisur. Normalisht Ulqini gjithmonë merr pjesë në panairin e Kosovës. Turistët kosovarë për Ulqinin janë më së të rëndësishëm, pa marrë parasysh që vitin e kaluar, liberalizimi i vizave ndoshta ka ndikuar me një pjesë, por në përgjithësi 30 për qind të turistëve që pushojnë në Ulqin janë nga Kosova. Këtë vit i ofrojmë të gjithë pushueseve që të vinë posaçërisht me 1 maj, ku ne bëjmë edhe hapjen e sezonit turistik, ku mund të shohin Mayfest e organizuar në qytet në plazhin e vogël, dhe çdo vikend në pjesën e majit do të kemi aktivitete të ndryshme ku të gjithë turistët që vinë për vikend të pushojnë mund të gjejnë edhe dëfrime të ndryshme. Kemi në ditën e sotme dhe të nesërme kemi lojëra shërbyese ku do t’i mundësojmë një pjesë të qytetarëve të marrin pjesë dhe mund të fitojnë çmimet falas të kalojë pushimet verore në Ulqin”, tha Hoxha.

Gjatë fjalës së tij në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, zëvendësdrejtori i TURSAB-it, Davut Günaydin, bëri thirrje për një angazhim më të madh të sektorit turistik turk ndaj Kosovës.

“Ne nuk e dimë saktësisht numrin e turistëve që vijnë në Kosovë. Të gjithë turqit, mos e shmangni Kosovën. Mos e anashkaloni Kosovën. Duhet ta zgjidhim këtë çështje. Duhet të punojmë së bashku. Duhet ta marrim këtë mision. Ndoshta mund t’i dërgojmë këtu (në Kosovë) të gjitha mundësitë e botës. Në fakt, astronomia është e shkëlqyer. Vendet historike janë të shkëlqyera. Spitalet janë të shkëlqyera. Çdo gjë është e shkëlqyer. Sigurisht që duhet të punojmë së bashku dhe unë kam nisur këtë, dhe jam shumë i emocionuar, sepse ka shumë gjëra interesante për Kosovën”, tha ai.

Panairi organizohet nga Unioni i Turizmit i Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA