Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka alarmuar se po normalizohet krimi mbi gratë.
Duke marrë shkas nga vrasja e dy grave kosovare në Gjermani dhe Zvicër ditët e fundit, Halimi ka shkruar se kjo “shpërfaq një gjendje emergjence në komunitetin tonë, që të ngritet zkundër mizorisë”.
Shoqëria, thotë ajo, “duhet të organizojë fushata vetëdijësuese për mbrojtjen e të drejtave të grave”.
“Politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare ngase indiferenca ndaj vrasjës së grave është e barasvlerëshme me miratimin e krimit!”, ka shkruar Halimi në Facebook.
Zëdhënësja e LDK-së tha se kjo s’po e shqetëson qeverinë, ndërsa ka kërkuar që presidentja Vjosa Osmani të veprojë me urgjencë.
“Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë”, shkroi Halimi.
Postimi i plotë i saj:
Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre po shndërrohet në përditshmëri, në një shoqëri të narrativave burrërore e kanunore. Mosreagimi përmes zërit të ngritur të shoqërisë duke shenjëstruar vrasësit për ta marrë dënimin e merituar po e normalizon krimin mbi gratë.
Vrasja e gruas nga një burrë kosovar në Gjermani e më pas edhe gruas, nënës së katër fëmijëve në Zvicër, poashtu nga një kosovar, shpërfaq një gjendje emergjence në komunitetin tonë, që të ngritët kundër mizorisë.
Kurse shoqëria jonë, me të gjitha potencialet e saj, OJQ-ve, zyrave diplomatike, shoqatave e mediave, duhet të organizojë fushata vetëdijësuese për mbrojtjen e të drejtave të grave.
Politika e jashtme duhet të krijojë një strategji të posaçme për mërgatën kosovare ngase indiferenca ndaj vrasjës së grave është e barasvlerëshme me miratimin e krimit!
Gratë po vriten, e fatkeqësisht asnjë shqetësim nga ky kabinet qeveritar dhe mekanizmat e shtetit.
Paradigmat janë të njohura pse dhuna ndaj grave jashtë Kosovës, është aq e shprehur.
Bartja e mendësisë tradicionale, patriarkale në ambintin e ri dhe kombinimi i tij me traumën sociale të mërgimit, është një nga shkaqet thelbësore që prodhon dhunë në familje.
Dhuna ndaj grave deri në eliminimin fizik të tyre esencialisht është luftë kundër lirisë, e për nënshtrimin e tyre diktatit të burrit që pandehet pronar i jetës së tjetrit/tjetrës.
Presidentja si grua, por edhe prijëse politike duhet me urgjencë ta krijojë një grup nën patronatin e saj, që të avokojë për mbrojtjën e lirive dhe jetës së grave në mërgatë.
Ajo sëbashku me shoqatat, aktivistet e shoqërisë civile dhe forumet e grave duhet të nisë një ofensivë për ta ndalur këtë mizori, që lajmet për vrasje grashë të mos mbesin vetëm kronika të zeza, por të na zgjojnë në mbrojtje të jetës dhe lirisë.