4.9 C
Pristina
Monday, December 29, 2025

Guvernatori i Bankës Qendrore: Presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet të mbyllë vitin me rritje prej 3.9 për qind, ndërsa inflacioni pritet të jetë rreth 3.8 për qind.

Sa i përket inflacionit, ai ka thënë se zbutja pritet të vazhdojë në vitin 2026, kur inflacioni parashikohet të jetë rreth 3.4 për qind, ndërsa ka deklaruar se rritja e çmimeve këtë vit është nxitur kryesisht nga ushqimi, në përputhje me trendet rajonale dhe evropiane.

Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se për vitin 2026 parashikohet që rritja ekonomike të arrijë në 4.1 për qind, e mbështetur kryesisht nga konsumi privat.

“Sa i përket indikatorëve makroekonomikë të vendit, ne presim që viti të mbyllet me rritje prej 3.9 për qind. Këto janë projeksione që dalin nga departamenti ynë për analiza financiare dhe stabilitet. Ky është në linjë me aktivitetin ekonomik që deri në gjysmën e parë të këtij viti u rrit me 3.8 për qind. Ne parashikojmë që vitin 2026 rritja ekonomike të shkojë në 4.1 për qind, që është e mbështetur nga konsumi privat… Sigurisht, rreziqet dhe pasiguritë mbeten, ato kanë të bëjnë me faktorët e brendshëm që karakterizojnë sistemin tonë ekonomik dhe politik. Po ashtu, edhe nga rreziqet e jashtme dhe tensionet e tjera gjeopolitike, si dhe rritja e ngadaltë e eurozonës. Duke qenë një ekonomi e varur nga importi dhe gjithashtu e varur nga bashkëpunimi me BE-në, kjo është evidente se do të ketë ndikim”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa ka shtuar se inflacioni këtë vit pritet të mbyllet me 3.8 për qind, duke theksuar se pritet të zbutet në 3.4 për qind për vitin e ardhshëm.

“Sa i përket inflacionit, sipas të dhënave deri në muajin tetor, inflacioni në Kosovë ishte 3.6 për qind, ndërsa pritet që të mbyllet viti me rreth 3.8 për qind. Ndërsa, për vitin 2026 ne presim që inflacioni të zbutet në 3.4 për qind. Rritja e inflacionit ka qenë kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit, ka qenë gjithashtu në linjë me dinamikat rajonale dhe evropiane”, tha ai.

Në aspektin e bilancit të pagesave, Ismaili ka bërë të ditur se deficiti është zgjeruar nga 5 për qind në 7 për qind të GDP-së.

“Shihet që vitin 2025 ka pasur një zgjerim të bilancit në kuptimin e deficitit nga 5 për qind e GDP-së në 7 për qind e GDP-së. Eksporti i mallrave, shihet që ka pasur një ngadalësim në vitin e fundit në krahasim me dy vitet e mëparshme. Ndërsa importi ka vazhduar një ritëm të rritjes. Një sektor që është duke performuar mirë është eksporti i shërbimeve, ku shihet që rritja është dyshifrore, mes 13 ose 14 për qind rritje në vit. Kurse importi i shërbimeve e ka trend rënës, pra kjo është një prej elementeve shumë të rëndësishëm sepse ndërlidhet me kapitalin njerëzor, intelektual që ka vendi, dhe me mundësitë që të rinjtë dhe të rejat të ofrojnë shërbimet e tyre dhe kjo është që po ndikon në bilancin e pagesave”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për shtrirjen e institucioneve financiare në katër komunat veriore të vendit.

“Këtu paraqitet sa ka qenë prezenca dhe sa është sot tek institucionet financiare në katër komunat veriore të vendit. Nga katër banka sot janë 12 banka, 12 degë bankare prezente, që janë trefish. Nga dy mikrofinanca në tre, nga një kompani të sigurimit në katër, nga 10 jo-banka në 31, me një fjalë numri nga 17 ka kaluar në 30”, nënvizoi Ismaili.

Ndërsa ka bërë të ditur se kreditë janë rritur rreth 15 për qind.

“Kreditë janë rritur rreth 15 për qind në raport me një vit përpara. Në përgjithësi ka arritur në 6.5 miliardë. Nëse krahasojmë me pesë vitet e mëparshme ishte 3.2 apo 3.3 miliardë, pra dyfishim i kredive”, u shpreh Ismaili.

Banka Qendrore ka ndarë poashtu çmimet në dy kategori, “Shkrimi dhe raportimi në gazetari për sektorin financiar” dhe “Ekonomisti i ri”. Ky aktivitet sipas BQK-së synon të nxisë raportimin cilësor për ekonominë dhe të mbështesë zhvillimin e të rinjve në fushën e ekonomisë dhe financave.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA