Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka kërkuar ndryshimin e rregullores së Carabao Cup, në mënyrë që mbrojtësi Marc Guehi të lejohet të luajë në finalen ndaj Arsenalit.
Tekniku spanjoll beson se klubi duhet t’u drejtohet organizatorëve të kompeticionit për të rishqyrtuar rregullat e kualifikimit, të cilat aktualisht e përjashtojnë Guehin nga finalja e Wembley.
Manchester City siguroi kualifikimin në finale pas fitores 3-1 ndaj Newcastle në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, duke e mbyllur çiftin me rezultatin e përgjithshëm 5-1.
Sipas rregullores së Kupës së Ligës, Marc Guehi nuk ka të drejtë të aktivizohet në finale, pasi ai ka luajtur më herët në këtë edicion të turneut me Crystal Palace dhe iu bashkua City-t vetëm pas ndeshjes së parë gjysmëfinale.
Guardiola nuk e fshehu pakënaqësinë e tij ndaj këtij rregulli, duke theksuar se lojtari është tashmë pjesë e skuadrës dhe duhet të ketë të drejtë të luajë.
“Pse të mos luajë Guehi? Pse jo? Ne i paguajmë rrogën, ai është lojtari ynë. E blen një lojtar për shumë para dhe ai nuk lejohet të luajë për shkak të një rregulli që nuk e kuptoj. Shpresoj që ta ndryshojnë. I thashë klubit se duhet të kërkojmë. Shpresojmë të bindim drejtuesit e Kupës Carabao që Marc të luajë në finale”, u shpreh Guardiola.
Finalja e Carabao Cup mes Manchester City-t dhe Arsenalit është planifikuar të zhvillohet më 22 mars në stadiumin Wembley.






