Grupi i përbashkët punues nuk ka nisur ende punën, dialogu mund të zvarritet

Pa asnjë darkordim për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, përfundoi takimi i së hënës ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.

Pajtim nuk pati për termat e referencës të Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës e as të Grupit të Përbashkët punues për të zhdukurit, pasi, sipas kryenegociatorit Bislimi, Petkoviç ishte i interesuar të diskutonte vetëm për Asociacionin.

Për takimin e parë të Grupit Punues për të pagjeturit u përmend një afat prej 60 ditësh, i cili varet fillimisht nga miratimi i termave të referencës që, eventualisht, duhet të bëhet në një takim tjetër të kryenegociatorëve.

Teksa konstaton se marrëveshja është në pikën zero të zbatimit, Fitim Mulolli nga PolCon nuk pret që diskutimet të marrin epilog të shpejtë.

“Jo të barten pas verës, por sigurisht edhe 2024-ta do të na zërë, sepse, po e përsëris, aq shumë ka terminologji të përgjithshme dhe të paqartë në atë marrëveshje të Ohrit dhe do të duhet të formohen grupe e nëngrupe punuese, do të duhet të hartohen udhëzues e manuale zbatimi etj., për të arritur në një fazë për të qenë të gatshëm për zbatim e lëre më për të pasur zbatim të plotë të asaj marrëveshjeje”, tha Mulolli.

Teksa përmend se marrëveshja ishte arritur për shkak të presionit ndërkombëtar dhe jo vullnetit të palëve, opinionisti Bekim Kabashi vlerëson se Asociacioni është pikë kyçe dhe se çështjet e tjera përdoren për zvarritje të procesit.

“Nuk kemi parë vullnet asnjëherë që Kosova dhe Serbia të gjejnë një pajtim për çfarëdo teme qoftë ajo. E kemi palën kosovare, e cila insiston në temat e tjera dhe refuzon të diskutojë për asociacionin. E dëgjuam kryeministrin Kurti që tha se pika 7 nuk është detyrimisht pika që duhet të zbatohet e para, në anën tjetër kemi Serbinë që insiston për Asociacionin”, tha Kabashi.

Më 27 Shkurt, në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, ndërsa më 18 Mars, në Ohër, u pajtuan për aneksin e zbatimit.

Hapat e vetëm konkretë, deri tani, janë miratimi i Deklaratës për të zhdukurit dhe prezantimit të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA