Përdoruesit e Android 16 tani kanë mundësinë të provojnë për herë të parë një funksion të ri gjatë përdorimit të Google Maps, pasi kjo aplikacion është i pari që përdor “Live Updates”.
Ky funksion u mundëson përdoruesve të marrin informacione të përditësuara në shiritin e statusit, duke e bërë më të lehtë, për shembull, ndjekjen e udhëzimeve në harta.
E ngjashme me sistemin “Live Activities” të Apple, funksioni i ri i Android mund të përdoret në aplikacione të ndryshme, por aktualisht është zbatuar vetëm në Google Maps. “Live Updates janë një lloj i ri njoftimesh që ndihmojnë përdoruesit të ndjekin dhe të kenë qasje të shpejtë në aktivitetet e rëndësishme aktuale”, shpjeguan zhvilluesit e Android në një postim ku u prezantua për herë të parë ky funksion.
Tani, përdorimi i “Live Updates” është vërejtur në versionin Beta 2.1 të Android 16, raporton Android Authority.
Kur ndiqni udhëzimet përmes aplikacionit Google Maps, në shiritin e statusit të Android shfaqet një tregues me informacion për kohën deri në kthesën tjetër dhe kohën e parashikuar të mbërritjes. Nëse tërhiqni poshtë njoftimet, do të shihni më shumë detaje.
Nëse nuk dëshironi të keni informacione live në njoftime, ekziston edhe mundësia për ta çaktivizuar këtë funksion. Në seksionin e cilësimeve të njoftimeve për Maps, mund të gjeni opsionin “Shfaq informacione live” dhe ta çaktivizoni atë.
Për momentin, ky funksion është i disponueshëm vetëm në versionin beta të Android 16. Megjithatë, pritet që në të ardhmen shumë aplikacione do ta përdorin funksionalitetin “Live Updates”, veçanërisht kur Android 16 të prezantohet gjatë verës. /Telegrafi/