Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar raportin e panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit.
Me këtë rast u mor vendim që nga data 1 maj 2025, gjyqtari në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Ali Kutllovci të avancohet në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, raporton KosovaPress.
Anëtarja e KGJK-së, Teuta Ibrahimi potencoi se për këtë pozitë fillimisht kanë aplikuar katër kandidatë, porse më pas dy janë tërhequr.
Ajo tha se kandidati i suksesshëm i rekomanduar për avancimin e pozitës në gjyqtar të Gjykatës së Apelit, është Ali Kutllovci.
“Këshilli gjyqësor i Kosovës me vendimin nr.468 të datës 26 dhjetor 2024 ka shpallur konkurs të brendshëm për një pozitë gjyqtar nga lëmia penale në Gjykatën e Apelit… Paneli pas shqyrtimit të aplikacioneve ka shqyrtuar se në bazë të konkursit 26 dhjetor 2024, për pozitën gjyqtar në Gjykatën e Apelit kanë aplikuar 4 kandidatë. Intervistat e kandidatëve janë mbajtur me datë 4 mars 2024. Intervistës i janë nënshtruar dy kandidatë. Dy kandidatë janë tërhequr nga procedura e konkurrimit. Procesi i intervistimit është monitoruar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë EULEX dhe Instituti i Kosovës për drejtësi IKD…Kandidat i suksesshëm i rekomanduar është Ali Kutllovci, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë…Kandidati i cili nuk është rekomanduar është Fatos Sejdijaj, po ashtu gjyqtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj”, tha Ibrahimi.
Derisa nga anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Fahret Vellija u hap një çështje tjetër e diskutimit i cili tha se i ka penguar mënyra e diskutimit në asamble, ngase sipas tij disa kryetarë të gjykatave kanë potencuar se nuk e dinë cilat janë kompetencat e Komisionit për Administrimin e Gjykatave (KAGJ).
“Ajo se çfarë unë nuk mund të pajtohem ose që më ka penguar është vetë diskutimi dhe mënyra e diskutimit në asamble. Nga ana e disa kryetarëve është potencuar se ndër të tjera nuk e dinë edhe cilat janë kompetencat e Komisionit për Administrimin e Gjykatave. Në këtë drejtim, ky propozim del që nuk është në rregull propozimi në fjalë. Nga materialet që i kanë prezantuar para asamblesë të kryetarëve në rastin konkret, nga zyra ligjore apo nga dikush tjetër në sekretariat, saktësisht kryetarët e gjykatave përpara vetes e kanë pasur cilat janë kompetencat e Komisionit për Administrimin e Gjykatave. Ligji e parasheh dhe rregulloret, aktet e brendshme të vet KGJK-së”, tha Vellija.
Ndërkaq, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ahmet Imami komentoi caktimin e koordinatorit nga Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave, për çka u shpreh se më e duhur sipas tij do të ishte të kishte një përfaqësues të Komisionit për Administrimin e Gjykatave.
“Sipas ligjit për Këshillin Gjyqësor, Asambleja e Kryetarëve, ka kompetencë këshillëdhënëse. Unë mund ta kuptoj shqetësimin e asamblesë, por nuk po mund ta kuptoj ku e ka bazën ligjore që e ka caktuar këtë koordinator. Ju e thatë që historikisht sipas praktikës janë caktuar edhe në komisione tjera mirëpo sipas kompetencave të asamblesë nuk po shoh diku që ka të drejtë asambleja të caktojë koordinator…Më mirë kishte qenë një përfaqësues i KAGJ-it të jetë në asamble sesa të caktohet një koordinator”, tha Imami.
Lidhur me këtë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se caktimi i koordinatore është në sensin lehtësues të procesit, në mënyrë që komunikimi mes gjykatave dhe komisioneve të rritet.
“Nuk po kuptoj ku është shqetësimi i KAGJ-it, pse ka shqetësim të ketë një propozim prej anëtarit që e ka caktuar asambleja për KAGJ-in…Presupozon që komunikimi duhet të rritet mes gjykatave dhe komisioneve në mënyrë të veçanta, asamblesë dhe komisionit. Që komisioni ndoshta në pamundësi me qenë përditë gjykata, ta ketë perspektivën e asamblesë direkt nga asambleja. Kjo është në sensin lehtësues procesi”, potencoi Zogaj.
Ndër të tjera u bë edhe miratimi i “Shqyrtimit të ndryshimit të Planit të Punës së Gjykatës Themelore Prishtinë me numër GJ.A.122/2025 i datës 5 mars 2025” dhe “Shqyrtimi i ndryshimit të Planit të Punës së Gjykatës Themelore Gjakovë me numër A.GJ.68/2025 i datës 19 mars 2025”. /kp