Gjykimi për vrasjen e Bedri Rexhepit, deklarohen të akuzuarit

Përgatiti: Arian Hajdaraj
Jeton Vllasaliu, në cilësinë e të akuzuarit ka treguar versionin e tij për vrasjen e Bedri Rexhepit në vitin 2022.
Reklamë
Duke mohuar ta ketë kryer vetë veprën, Vllasaliu tha se në ditën kritike, me të ndjerin po udhëtonte me të njëjtën veturë, kur sipas tij u ndaluan nga 4 persona të maskuar, dy prej të cilëve sipas tij, e mbajtën larg Rexhepit, deri në momentin kur e kryen vrasjen.
“Momentin që më kanë lëshu, m’i kanë thanë dy fjalë: “këqyr çka po bën me të nderin Bedriun se këtu e knena ke ti punë me ta”. Dhe unë jam afru dhe e kam pa në tokë, jam mundu me i dhanë ndihmën e parë aq sa kam ditë dhe sa kam mujt, por e kam pa që është e kotë”, deklaroi Vllasaliu.
Më tej, Vllasaliu e pranoi se Rexhepin e ka varrosur në fshat, me arsyetimin se nuk ka ditur çfarë të bëjë me trupin.
“Ndoshta nga ndihma jem e parë kam mundur ta lëndoj, e kam hap kerrin, e kam qit në karrige dhe kam vazhduar për në fshatin tim… një kaci edhe një kazmë, dhe e pshtjella trupin e të nderit dhe me atë makinë e çova, mu m’u duk që është vend ma i sigurt për me varrosë të ndjerin”, deklaroi Vllasaliu.
Shumë më shkurt, u deklarua vëllau i Jetonit, Nexhati, i cili poashtu akuzohet për vrasjen e Rexhepit.
“Më kanë arrestuar nuk di edhe me tregu detaje. Më akuzojnë për vrasjen e të ndjerit, që kurrë nuk kam dëgjuar kurrë për të dhe betohem në kokë të fëmijëve. Atë ditë që e kam lutur prokurorin që të mos e arrestojë gruan time se ka me hy në operim por që ka vazhduar”, deklaroi ai.
Por, prokuroria është e bindur se të dy janë përgjegjës për vrasjen e Bedri Rexhepit, dhe se veprën e kishin kryer me plan. Sipas aktakuzës, vrasja ishte kryer me qëllim të përfitimit material të një shume prej 30 mijë eurosh.








