Haradinaj: Kthimi prapa i Ligjit për Specialen do të ishte ofendim, kjo është lojë e ndytë

Deputeti i Aleancës Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si ofendim kthimin eventual të ligjit për Gjykatën Speciale. Megjithatë, ai tha se nuk kanë informacion që ligji do të kthehet prapa.
Haradinaj kritikoi mungesën e komunikimit dhe dialogut strategjik të Kosovës, si dhe ngecjen në proceset integruese. Sipas tij, këto zhvillime paraqesin rrezik për vendin.
Reklamë
“Kjo po e shpjegon edhe atë se çka po ndodh Kosovës, po edhe te ligji, është një sinkronizim me lëshua Kosovën më poshtë sesa që është. Edhe mungesa e komunikimit, mungesa e dialogut strategjik, mungesa e përparimit në proces për anëtarësim Këshillën të Evropës, qoftë në BE, por në NATO, gjitha këto janë rrezik për Kosovën”, tha ai.
Duke folur për mundësinë e kthimit të ligjit, Haradinaj tha se kjo do të përbënte një ofendim pas përpjekjeve dhe përplasjeve që e kanë shoqëruar atë.
“Po edhe loja me ligjin, pra është një ofendim tani kthimi prapa i ligjit, nuk e kuptoj këtë. Pse duhet me na ndodh kjo? Pra, pas gjithë atyre përpjekjeve, përplasjeve, vërtet është një ofendim i radhës kthimi i ligjit prapa. Nuk e kuptoj prapë pse duhet me ja bë Kosovës, vendit, pse duhet me kaluar tema të tjera, pse duhet ende me vazhduar kjo tallje me ne, me parlamentin, me qytetarë”, theksoi Haradinaj.
Haradinaj theksoi se ligji është votuar nga mbi 2 të tretat e deputetëve të Kuvendit. Ai shtoi se koha po kalon, ndërsa proceset e apelimit vazhdojnë.
“Ligji tani është i Kosovës, e kanë votuar mbi dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi ndonjë informatë që kthehet ligji prapa. Unë mendoj se kjo është një lojë e ndytë. Nga kushdo që e bën këtë lojë, është një lojë e ndytë edhe është turp për ata që janë përfshirë në këtë lojë, kush do qofshin. Për shkak se koha po ecë, sikurse e dini, proceset rreth apelimit vazhdojnë me shpejtësinë e vet”, tha ai. /kp/








