Shtatë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, Moska pretendon se ka interceptuar qindra dronë

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme gjatë natës së të mërkurës, ku shtatë persona janë vrarë në Ukrainë, kanë njoftuar autoritetet të enjten. Sulmet kanë ndodhur pavarësisht përpjekjeve të ripërtërira diplomatike për t’i dhënë fund luftës, në të cilat janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmet u zhvilluan pak kohë pasi i dërguari amerikan, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Shën Petersburg, për bisedime lidhur me përfundimin e luftës.
Reklamë
Sipas autoriteteve ukrainase, një person është vrarë në Sumy, një grua në Kharkiv, tre persona në Zaporozhye dhe dy të tjerë në Donetsk.
Ndërkohë, në Kiev, 15 persona janë plagosur nga sulmet, të cilat kanë shkaktuar edhe dëme në infrastrukturën e metrosë. Sipas zyrtarëve, dëmet kanë detyruar kufizimin e qarkullimit të metrosë ndërmjet disa pjesëve të qytetit.
Në anën tjetër, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka bërë të ditur se dy persona janë plagosur nga sulmet me dronë të Ukrainës.
Sipas autoriteteve ruse, Ukraina ka lëshuar rreth 630 dronë drejt territorit rus, shumica e të cilëve janë interceptuar. Disa prej tyre, sipas njoftimit, kishin për cak edhe kryeqytetin rus, Moskën.









