Përgatiti: Nora Luta
Pak minuta pas orës dhjetë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, arrin në sallën e gjykimit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Konjufca po ballafaqohet me akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur në gusht të vitit 2016.
Por, kryeparlamentari nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes për t’u përgjigjur para gjykatës, duke vendosur të mbrohet në heshtje.
Paraprakisht, gjatë kësaj seance dëshminë lidhur me ngjarjet e asaj date e dha deputeti Pal Lekaj. Megjithatë, as Lekajt nuk i kujtohet se kush hodhi gaz, e madje as të jetë ndërprerë ndonjë mbledhje e kryesisë.
Gjatës seancës, gjithashtu, janë administruar provat, përfshirë edhe provë procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, që u propozua nga Prokuroria.
Në fund të javës, është planifikuar fjala përfundimtare, në këtë rast vepra penale e të cilit, sipas Prokurorisë, është kryer në vitin 2016.
Konjufca akuzohet se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.






