Gjykata vendos: 62 vite burgim për të akuzuarit për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Mitur ka shpallur aktgjykim dënues ndaj akuzuarve B.R, D.Rr, B.S, M.S, F.S., dhe M.R, duke i dënuar me 62 vjet burgim (së bashku) për përfshirje në dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës. Kurse, G.S dhe E.S., u liruan nga akuza.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se i akuzuari B.R u dënua me 12 vjet burgim, kurse të akuzuarit D.Rr., B.S., M.S., F.S dhe M.R., u dënuan me nga 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të akuzuarit B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S, M.R janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga gjykata, pasi të njëjtit veç e veç kanë kryer veprën penale të Dhunimit, ashtu që i akuzuari B.RR është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve, ndërsa të akuzuarit D.RR, B.S, M.S, F. S dhe M.R janë dënuar në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh, secili veç e veç”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se i akuzuari G.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Dhunimi”, kurse i akuzuari D.Rr është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”.

Po ashtu, në njoftim thuhet se i pandehuri F.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimi”, si dhe i akuzuari E.S është liruar nga aktakuza për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Dhunimit”.

“Të akuzuarve B.R, D.RR, B.S, M.S, F.S dhe M.R. iu është caktuar masa e paraburgimit deri ne plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se të akuzuarit janë obliguar të kompensojnë shpenzimet e procedurës penale, ndërsa pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për kërkesën pasurore.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares po akuzohen 13 persona në dy raste të ndara. Lidhur ne rastin e përfshirjes në dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës akuzohen tetë persona B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S. Kurse, pesë të akuzuarit: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe tre të miturit G.R, G.J dhe Xh.S, akuzohen për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares, në muajin gusht të vitit 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2023 e kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të akuzuarve lidhur me dhunimin e 11-vjeçares në gusht të vitit 2022. Mirëpo, Apeli kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke anuluar vendimin e Themelores dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Po ashtu, Themelorja kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tre të akuzuarve për dhunimin e 11-vjeçares në qershor të 2022-ës. Kurse, Apeli e kishte kthyer në rivendosje.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2023 i ka dënuar me 40 vjet burg katër të akzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në gusht të vitit 2022, tre prej tyre të mitur. Kurse, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim çështjen penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve: G.R., G.J., Xh.S, të akuzuar për përfshirje në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo Prokurori, ku thuhej se të akuzuarit gjenden në paraburgim.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, thuhej se njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.

“Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhej tutje.

Kurse, më 21 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave të moshës madhore: B.Rr., D.Rr., G.S., B.S., M.S., F.S., M.R., dhe E.S., të akuzuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në muajin qershor 2022. /BetimipërDrejtësi

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA