Gjykata Supreme i ka ndërprerë masën e paraburgimit avokatit Hamdi Jashari, i cili dyshohet se mori 8 mijë euro nga pala për t’ia dhënë gjyqtarëve.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, avokati Jashari do të mbrohet në liri.
“Me pranimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të pandehurit Hamdi Jashari, ndryshon aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, të datës 7.9.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 15.9.2023, ashtu që të pandehurit i ndërpritet masa e paraburgimit dhe i njëjti lirohet menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të siguruar nga ATV.
Ndërkohë mbrojtja e Jasharit e ka mirëpritur vendimin, pasi sipas avokatit Florim Shefqeti, vendimi paraprak nuk ka pasur bazë ligjore.
Kujtojmë se hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale – ushtrim i ndikimit.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka kërkuar dhe pranuar para në shumën prej 8 mijë euro nga një palë në procedurë në Gjykatën e Gjilanit me premtimin që këto para do t’ia japë kolegjit të gjyqtarëve, në mënyrë që të njëjtit të nxjerrin vendim në favor të palës se mbrojtur nga i dyshuari. /atvlive.tv