Ashtu sikurse kishte paralajmëruar në seancën e KS të OKB-së në Nju Jork, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u është drejtuar sot komunitetit serb përmes një videoje në Facebook në gjuhën serbe ku sqaron rregulloren e BQK-së për euron si valutë të vetme për pagesë nga 1 shkurti dhe heqjen e dinarit.
Ai ka bërë me dije qytetarët serbët se Kosova nuk ka ndaluar dinarin, ashtu siç nuk ka ndaluar as valutat e tjera përfshirë dollarin, funtën dhe frangun zviceran, dhe se rregullorja e BQK-së nuk e ndalon Serbinë të ndihmojë financiarisht qytetarët e komunitetit serb në Kosovë.
Ai ka theksuar se viteve të fundit kanë bërë të pamundurën për të luftuar krimin dhe për të vendosur rendin e ligjin, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe qytetarit, e cila u njoh edhe nga Freedom House, Transparency International dhe World Justice Project.
Kurti tha se Kosova është shtet multietnik, e angazhuar për paqe e prosperitet, andaj nevojitet një besim ndëretnik për të luftuar dukuritë si krimet, urrejtja fetare, racore e etnike, ndarja e shoqërisë, lajmet e rreme për qëllime nacionaliste e shoviniste.
Për më tepër, Kurti ua ka përkujtuar serbëve të Kosovës propagandën të cilën po e shpërndanë Beogradi me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq kinse për përndjekje sistematike ndaj këtij komuniteti, duke thënë se e gjitha kjo është një fushatë e ngritur mbi baza të rreme.
Ai ka theksuar se vendosja e valutës euro si mjet i vetëm pagese ndalon pastrimin e parave dhe pasurimin ilegal me qëllim të financimit të terroristëve dhe pengimin e paqes, andaj vendosja e shtetit ligjor është e pashmangshme.
Kurti ka folur edhe për skemat e asistencës financiare dhe ndihmës sociale për familjet në nevojë, gratë lehona dhe nënat me fëmijë, për të cilën tha se do të rritet në të ardhmen në përputhje me rritjen ekonomike dhe planifikimin buxhetor.
Ai ka përkujtuar se çdo muaj, më shumë se 33.000 pjesëtarë të komunitetit serb marrin pensione nga Kosova, 2.205 familje marrin ndihmë sociale, 4.244 familje marrin ndihmë për fëmijë dhe 1.372 familje marrin ndihmë për gratë lehona dhe nënat me fëmijë.