Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për media, Gjini tha se partia e tij nuk do ta pengojë krijimin e institucioneve dhe se, nëse është e nevojshme, do të ofrojë edhe kuorumin.
“Kjo e plotë nënkupton që nuk do ta pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë, nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren, në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë”, tha ai.
Ai foli edhe për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president të vendit, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte nder për Aleancën, por nuk do të vendoset si kusht për mbështetjen e tyre.
“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne menojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme”, tha ai.
Gjini theksoi se Aleanca nuk po kërkon poste politike në këmbim, por sipas tij, partia e tij synon që pesha e saj politike të përdoret për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo për interesa partiake.
“Edhe njëherë, jemi të gatshëm edhe të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete, nuk kemi kurrëfar kushti vetiak, nuk duam as ministra, as zëvëndësministra, as ambasadora, as borde asgjë, po nuk guxojmë ne të jemi indiferent dhe mos ta përdorim peshën tonë politike për ta rregulluar jetën e qytetarit të Kosovës”, tha Gjini.





