Gjini: Ju kemi thënë se ky skenar do të ndodhte, dështimi i seancës konstituive është skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka mbajtur konferencë për media pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Gjini hodhi akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, duke e cilësuar të gjithë situatën si një skenar të parapërgatitur që synon zvarritjen e qëllimshme të proceseve politike në vend.

Kryetari Gjini e nisi adresimin e tij duke rikujtuar paralajmërimet e mëhershme të Aleancës: “A ju kemi thënë, a ju kemi thënë që nuk kanë për ta konstituuar Kuvendin sot?”

Sipas tij, ky bllokim po bëhet përmes një koordinimi të dukshëm me Listën Serbe.

“Kush e di për të satën herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe po ndihmon që Albin Kurti ta zhvillojë agjendën e vet qysh i konvenon. Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, deklaroi ai para gazetarëve.

Gjini theksoi se vendimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e këtij procesi tashmë është zbardhur plotësisht dhe u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të ndjekin të njëjtin hap.

“Sot të gjithë e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj maskarade. I ftoj, qysh i kam ftuar edhe më herët, edhe dy partitë e tjera në opozitë që mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade”.

Ai zbuloi se ky skenar ka qenë i qartë që nga muaji korrik, kur partia fituese e zgjedhjeve refuzoi ofertën e Aleancës.

“Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur. Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet ka refuzuar të merret me ofertën tonë. Vetë fakti që kanë refuzuar, ka treguar që ky ka qenë qëllimi”, u shpreh Gjini, duke shpjeguar më pas edhe kalkulimet me datat që sipas tij çojnë drejt zgjedhjeve të reja në fund të vitit.

“Duhet të mbërrihet së paku data 30 shtator, në mënyrë që kur të kalkulohet edhe 60-ditëshi, edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ta mbërrijë datën 27 dhjetor. Pse datën 27 dhjetor? Sepse këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë këtu. Jeta është bërë më e rëndë”, tha ai.

Gjini bëri thirrje që t’i jepet fund dëmtimit të shtetit për interesa të një njeriu të vetëm, duke e krahasuar situatën aktuale me zhvillimet e dy viteve më parë. “Mos ia bëni këtë dëm Kosovës, që dy vite po zvarritemi në procese për shkak se një njeri po dëshiron ta sundojë Kosovën me gjithçka. Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë. Ky ka qenë skenar që nga fillimi. Ju kemi thënë, you kemi treguar fiks cili është skenari dhe ky skenar po realizohet në vitin 2025. Para dy viteve këtë mundësi ia ka dhënë Vjosa Osmani, kurse sot po ia jep Lista Serbe, fiks të njëjtën gjë”.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i Aleancës deklaroi se situata përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe një mashtrim historik ndaj popullit. “Unë personalisht dhe njerëzit racionalë nuk besojmë në 100 koinçidenca që çojnë në një drejtim. Nëse ka, atëherë është zgjedhje. Ju bëjmë thirrje partive politike mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Kosova është në shkelje brutale të Kushtetutës. Ky është mashtrimi më i madh që ka ndodhur në historinë e Kosovës. Qytetarët e kanë parë bardh e zi se me kë kemi punë. Këta njerëz janë të lexueshëm”, përfundoi Gjini.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA