Viti 2026 ka nisur në mënyrën më të mirë për legjionarët shqiptarë, të cilët kanë spikatur me paraqitje vendimtare dhe kontribute kyçe në ndeshjet e skuadrave të tyre.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, zhvilloi një ndeshje të madhe me Atalantën, në fitoren minimale 1-0 ndaj Romës. Mbrojtësi kuqezi ishte i pakalueshëm në prapavijë, duke shpëtuar disa herë skuadrën nga goli dhe duke u shpallur lojtari më i mirë i takimit.
Një tjetër performancë e spikatur erdhi nga Ardian Ismajli, qendërmbrojtësi që aktivizohet në Serie A me Torinon. Ismajli jo vetëm që siguronte mbrojtjen, por kontribuoi edhe në fazën sulmuese duke dhënë asistin për golin e tretë në fitoren 3-0 ndaj Veronës, realizuar nga Njie në fundin e takimit.
Sulmuesi Jasir Asani nisi vitin e ri me gol, duke shënuar nga penalltia në fitoren 2-1 të Esteghlalit ndaj liderit të kampionatit iranian, Sepahan. Ky sukses e mbajti klubin e Asanit vetëm 5 pikë pas kryesuesve, ndërsa goli ishte i shtati sezonal i tij në kampionat.
Me gol e nisi vitin e ri edhe Anis Mehmeti, i cili kontribuoi në fitoren e thellë 5-0 të Bristol Cityt ndaj Portsmouthit, duke treguar formë të mirë në startin e vitit.
Përveç tyre, kontribute të rëndësishme dhanë edhe legjionarë të tjerë si Ylber Ramadani, Armando Broja dhe Rey Manaj, ndërsa në disa kampionate europiane dhe botërore sezoni futbollistik nuk ka nisur ende.
Ky fillim i vitit tregon se shqiptarët janë në formë dhe mund të jenë faktor vendimtar për skuadrat e tyre në vazhdim të sezonit, duke dhënë kontribut jo vetëm në gol, por edhe në lojën e përgjithshme. /ATVLIVE.TV






