SC Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj FC Drita në derbin e Anamoravës, në kuadër të xhiros së 35-të të Superligës së Kosovës.
“Skifterët” zhvilluan një paraqitje mjaft të mirë, duke triumfuar me rezultat 0-2 në udhëtim. Besart Morina realizoi shumë herët, vetëm pas tre minutash lojë, për t’i dhënë epërsinë mysafirëve.
Në pjesën e dytë, Robert Rrahmani vulosi fitoren me një supergol pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 62-të.
Pas kësaj fitoreje, SC Gjilani ngjitet në pozitën e gjashtë me 48 pikë, ndërsa FC Drita mbetet në krye me 66 pikë, pasi tashmë e ka siguruar titullin kampion.





