Kosova do të mirëpresë një nga ngjarjet më të rëndësishme të volejbollit rajonal për femra, Kupën e BVA-së, e cila do të zhvillohet nga 25 deri më 28 shtator në Gjilan.
KV Drita, kampione e mirënjohur e volejbollit kosovar, këtë vit do të ketë privilegjin të jetë nikoqire e turneut, duke pritur në parketin e saj tri skuadra të fuqishme nga rajoni: AEK Athina nga Greqia, Fit Fun Volley nga Maqedonia e Veriut dhe Herceg Novi nga Mali i Zi.
Programi i garave nis më 25 shtator, ku në ndeshjen hapëse (15:30) do të përballen AEK Athina – Fit Fun Volley, ndërsa menjëherë pas tyre (17:30), KV Drita do të sfidojë Herceg Novin para tifozëve të saj.
Dita e dytë sjell përballje të tjera interesante: Herceg Novi – AEK Athina dhe Fit Fun Volley – KV Drita, ndërsa pas një dite pushimi, më 28 shtator, turneu do të mbyllet me duelet Herceg Novi – Fit Fun Volley dhe supersfidën e madhe AEK Athina – KV Drita.
Fituesi i Kupës së BVA-së do të shpërblehet me një biletë të artë për në arenën ndërkombëtare, duke siguruar pjesëmarrjen në CEV Challenge Cup.
Organizimi i këtij eventi është një mundësi e artë jo vetëm për KV Dritën, por edhe për sportin kosovar në tërësi, për të treguar potencialin dhe për të ngritur imazhin e volejbollit në skenën evropiane.