Deputetët gjermanë kanë miratuar një ligj të ri që pezullon për dy vite të drejtën e bashkimit familjar për refugjatët që nuk kanë status të plotë azili.
Sipas raportimit të AFP-së, kjo masë është pjesë e politikave të reja të qeverisë së kancelarit Friedrich Merz, të cilat synojnë të frenojnë emigracionin në Gjermani.
Sipas ligjit të miratuar në Bundestag, refugjatët që gëzojnë mbrojtje dytësore nuk do të kenë të drejtë që për dy vjet t’i sjellin familjarët e tyre në Gjermani.
AFP sqaron se mbrojtja dytësore u jepet atyre që nuk përmbushin kriteret për azil politik, por që përballen me rrezik torture apo dënimi me vdekje në vendet e tyre të origjinës, ndaj u lejohet qëndrimi i përkohshëm për arsye humanitare.
Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka deklaruar në Bundestag se ky vendim reflekton prioritetin e qeverisë për “njerëzi dhe rregull” në politikat e migrimit.
“Ndërkohë që Gjermania mbetet e hapur ndaj botës, kapacitetet e sistemeve tona sociale kanë kufijtë e tyre,” ka thënë Dobrindt.
Ai ka shtuar më tej se sistemet e arsimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor janë nën presion të madh, ndaj emigracioni duhet të kufizohet në përputhje me kapacitetet që ekzistojnë.