Pas përfundimit të procesit elektoral të dhjetorit, Genc Prelvukaj ka reaguar publikisht përmes një postimi, duke sqaruar pozicionin e tij politik dhe rezultatin zgjedhor.
Prelvukaj bën të ditur se, ndonëse ka arritur të rrisë numrin e votave duke marrë rreth 16 mijë vota, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u rreshtuar në ekipin fitues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës, përcjell Indeksonline.
Ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit që i qëndruan pranë gjatë fushatës, duke theksuar se është i nderuar dhe mirënjohës për besimin e treguar. Njëkohësisht, Prelvukaj u ka uruar punë të mbarë deputetëve të zgjedhur, duke shprehur shpresën se ata do të angazhohen maksimalisht për shtetin, shoqërinë dhe elektoratin e tyre.
Në reagimin e tij, ai thekson se vendimin e elektoratit të PDK-së e respekton dhe se këtë zhvillim duhet ta lexojnë racionalisht edhe ata që nuk fituan mandat. Megjithatë, Prelvukaj konfirmon se do të vazhdojë të jetë pjesë e PDK-së, ashtu siç ka qenë për më shumë se dy dekada, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Në fund, ai i uron sukses partisë fituese, duke bërë thirrje për një qasje më racionale ndaj politikës vendore, aleatëve ndërkombëtarë dhe sfidave ekonomike, ndërsa nënvizon se interesi për Kosovën duhet të jetë mbi çdo dallim partiak.






