Deri sa në Kosovë po festohej Pavarësia më 17 shkurt 2008, gazetarja shqiptare Desada Metaj po raportonte nga Beogradi për zhvillimet në Serbi. Ajo së bashku me operatorin, ishin shqiptarët e vetëm në qendër të Beogradit të rrethuar nga turma të rinjsh serbë që protestonin kundër shpalljes së Pavarësisë Kosovës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, ajo tregoi se atë ditë, turma të mëdha në Beograd ishin tejet të acaruara dhe bërtisnin pa pushim “Vdekje shqiptarëve”, “Vdekje Hashim Thaçit”.
“Komentet kanë qenë shumë të forta. Kam kuptuar që gjatë gjithë kohës, turmat bërtisnin “Vdekje shqiptarëve”, “Vdekje Hashim Thaçit”, ishin tejet të acaruara. Protestat zhvilloheshin me orë. Ato fillonin në qendër të Beogradit gjatë ditës dhe pastaj degjeneronin në grupe huliganësh që kryenin edhe akte banditeske duke thyer dyqane, duke dhunuar njerëz në rrugë, ishte një valë ksenofobie e cila kishte pushtuar Beogradin. Është një valë ksenofobie që nuk është e vështirë ta gjesh në Serbi, mirëpo ato ditë ishte në kulmin e saj dhe ishte e ndezur nga ngjarja që besoj ishte ngjarja më trishtuese për ata në 100 vitet e fundit”, rrëfeu gazetarja Desada Metaj. /atvlive.tv