Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana në emisionin A LIVE, zbuloi agjendën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë qëndrimit të tij sot në Shqipëri.
Gazetari tregon se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tashmë është në Tiranë në një vizitë tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, për të dhënë mesazhet e tij pikërisht nga Shqipëria për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm, pasi sekretari amerikan do të japë mesazhet e tij në mbështetje të Ukrainës.
Agjenda e vizitës së sekretarit Antony Blinken në Tiranë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Tiranë para rreth gjysmë ore, ndërkaq në orën 13:35 minuta, ai do të qëndrojë në Ambasadën Amerikane në Tiranë ku do të ketë takim me stafin e ambasadës dhe familjarët e tyre dhe do të vazhdojë me një vizitë tek afganët të cilët janë të strehuar në Shqipëri dhe tutje në orën 15:05, do të ketë takimin me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, që do të përcillet nga takimi i radhës me një grup të rinjsh studentë, kryesisht bursistë të ndihmuar nga SHBA-ja. Në këtë diskutim me të rinjtë, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Shqipërisë ku do të jepen opinionet dhe pikëpamjet e këtyre bursistëve që pasi janë ndihmuar nga SHBA-ja synojnë të kontribuojnë për Shqipërinë në lëmitë që kanë studiuar.
Në orën 16:15 do të ketë një takim, pra takimi kryesor i vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, takimi me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, do të ketë një ceremoni të nënshkrimit të dy memorandumeve të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ndërsa në fund, në orën 18:10, pritet të mbahet konferenca e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Është folur edhe për mundësinë e një darke jo formale ndërmjet sekretarit Blinken dhe kreut të Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, për të diskutuar për reformën në drejtësi dhe arritjen që ka bërë SPAK-u, por edhe rrugën përpara të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, sigurisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Kjo vizitë e sekretarit Blinken vjen në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi Shqipëria ka marrë lavdata nga SHBA-ja për rolin e saj udhëheqës, kryesues në OKB, veçmas në raport me Ukrainën dhe kjo pritet të jetë nga falënderimet që do t’ia bëjë kryeministrit Rama.
Në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e vizitës në Tiranë të sekretarit Blinken, Shqipëria është cilësuar si partnere kyçe e SHBA-së në rolin e saj për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: