Përgatiti: Benita Zeneli
Më 15 dhjetor bëhet një vit prej kur kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit edhe nga opozita, por edhe nga njohës të politikave të Bashkimit Evropian, vlerësohet të jetë e gjatë.
“Minimumi duhen 18 muaj kohë, derisa komisioni ta dorëzojë në këshill e duhet më pas një unanimitet i të gjitha vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian gjë të cilën nuk e ka Kosova këtë privilegj. Mandej nëse kalon një gjë e tillë duhet të kalojë në të gjitha parlamentet dhe më pas e autorizojnë komisionin për të shikuar nëse i kemi përmbushur kriteret”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.
Përpos që ishte i vetmi shtet që aplikon për anëtarësim e njëkohësisht nuk njihet si shtet nga 5 shtete anëtare të BE-së, Kosova është larg anëtarësimit edhe në aspektin e politikës së brendshme.
“Kriteri më i rëndësishëm është sundimi i ligjit e ne jemi larg. Edhe të gjitha raportet kanë kritika për sundimin e ligjit”, tha Arifi.
Derisa, kryeministri e kishte quajtur ditë historike 15 dhjetorin e 2022-s, një vit pas rrugën drejt anëtarësimit e pengojnë edhe masat që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës.
“Nuk mund të flasim për anëtarësim kur prej vendeve që presim përkrahje jemi të sanksionuar. Anëtarësimi mund të jetë vetëm dëshirë aktualisht”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
“Kosova gjendet nën masat e BE-së, me ç’rast edhe më shumë është larguar Kosova nga rruga evropiane në qeverisjen Kurtit”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia dhe Mali i Zi mund të lavdërohen sa i përket progresit.
Derisa Kroacisë iu deshën 10 vjet për anëtarësim të plotë, Mali i Zi qysh në vitin 2008 paraqiti kërkesën për anëtarësim. Deri më tani ka të hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave dhe zyrtarisht është shtet kandidat për anëtarësim.