Përgatiti: Driton Sadiku
Gati një muaj ka kaluar prej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse është bërë verifikimi i të gjitha nënshkrimeve.
Madje, KQZ-ja nuk tregoi se edhe sa mund të vonohet ky proces. Detaje, me arsyetimin se kjo i takon KQZ-së, nuk dha as ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndonëse mohoi të ketë zvarritje në proces.
“Besoj që kjo është njëfarë kalkulimi matematikor dhe është aty dhe besoj që ata shumë shpejt do të hapin procesin për nivelin tjetër, por nuk po zvarritet”, tha Krasniqi.
Sipas udhëzimit administrativ, peticioni i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në të cilin nevojiten 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar.
E në rast se nisma për shkarkimin e kryetarëve ka sukses, presidentja duhet që jo më larg se 45 ditë nga shkarkimi i kryetarëve, t’i shpallë zgjedhjet e reja.






